BALLKANI

Kryeministri Kurti takoi ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Wadephul

Kurti theksoi se Republika e Kosovës meriton që të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe që Komisioni Evropian duhet ta dorëzojë sa më parë pyetësorin për anëtarësim

Agim Sulaj  | 18.11.2025 - Përdıtësım : 18.11.2025
Kryeministri Kurti takoi ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Wadephul Burimi: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Prishtinë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul, raporton Anadolu.

Zyra e Kryeministrit njoftoi se Kurti i ka shprehur ministrit Wadephul mirënjohjen për mbështetjen e Gjermanisë ndaj Kosovës, duke theksuar se Gjermania ka qenë partnere e palëkundur e Kosovës edhe para pavarësisë.

Kurti u shpreh se Republika e Kosovës është e vendosur dhe e përkushtuar të punojë bashkë me Gjermaninë për të thelluar raportet bilaterale dhe për të avancuar në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Me këtë rast, ai theksoi se Republika e Kosovës meriton që të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe që Komisioni Evropian duhet ta dorëzojë sa më parë pyetësorin për anëtarësim.

Gjatë takimit u diskutua edhe për rolin aktiv, kontributin e deritanishëm dhe potencialin e diasporës kosovare në Gjermani në forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve përmes investimeve të huaja dhe të thellimit të lidhjeve ndërmjet dy popujve.

Temë e diskutimit gjithashtu ishin raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimi i Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe Aneksit të saj.

Kryeministri nënvizoi faktin se edhe më shumë se dy vjet pas sulmit terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës, udhëheqësi i këtij grupi terrorist dhe paramilitar, Millan Radoiçiq, vazhdon të endet i lirë në Serbi dhe Beogradi zyrtar refuzon t’ia dorëzojë atë dhe grupin e tij Kosovës.

Kryeministri Kurti gjithashtu e falënderoi ministrin Wadephul për vizitën e tij, për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë dhe për kontributin e Gjermanisë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë përmes trupave të saj në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın