BALLKANI

Kryeministri Kurti pret në takim në Prishtinë shefin e NATO-s

Kurti theksoi se aspirata e Kosovës për anëtarësim në NATO reflekton përkushtimin e vendit ndaj vlerave të përbashkëta të demokracisë, sundimit të ligjit dhe sigurisë, si dhe vullnetit për të kontribuar në fuqizimin të mëtejshëm të aleancës

Agim Sulaj  | 11.03.2025 - Përdıtësım : 12.03.2025
Kryeministri Kurti pret në takim në Prishtinë shefin e NATO-s Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim në ndërtesën e qeverisë në Prishtinë sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, transmeton Anadolu.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, kryeministri kosovar e uroi shefin e NATO-s për detyrën e re, duke i uruar “sukses në udhëheqjen e aleancës në këtë periudhë kritike për sigurinë evropiane dhe globale”.

Kurti gjatë takimit shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e NATO-s në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë. Ai theksoi se aspirata e Kosovës për anëtarësim në NATO reflekton përkushtimin e vendit ndaj vlerave të përbashkëta të demokracisë, sundimit të ligjit dhe sigurisë, si dhe vullnetit për të kontribuar në fuqizimin të mëtejshëm të aleancës.

Ai po ashtu falënderoi sekretarin Rutte për bashkëpunimin e ngushtë midis misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe institucioneve të sigurisë së vendit, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s ndaj Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) përmes misionit këshillëdhënës NALT.

Në diskutim u theksua fakti se Kosova organizoi zgjedhje parlamentare të lira dhe demokratike, me pjesëmarrje të të gjitha komuniteteve jo-shumicë. Megjithatë, siç thuhet në njoftim, kryeministri ngriti shqetësimin për ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Serbisë, me mbështetjen e Rusisë, ndaj komunitetit serb përmes "presionit, shantazhit dhe dezinformimit".

Më tej, Kurti theksoi gatishmërinë e Kosovës për të qenë përherë aleate në mbrojtje të vlerave demokratike.

Gjatë ditës, shefi i NATO-s u prit në takim edhe nga presidentja Vjosa Osmani.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın