Kryeministri Kurti mirëpriti Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen
Kryeministri ritheksoi nevojën që Komisioni Evropian të dorëzojë sa më parë pyetësorin për anëtarësim dhe dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën

Prishtinë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, raporton Anadolu.
Siç bën të ditur Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Kurti shprehu mirënjohjen për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të presidentes von der Leyen për rrugëtimin evropian të Kosovës.
Gjatë takimit u diskutua për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian (BE), reformat dhe progresin e Kosovës në sundim të ligjit dhe fushën e sigurisë, përparimin demokratik dhe rritjen ekonomike.
Kryeministri ritheksoi nevojën që Komisioni Evropian të dorëzojë sa më parë pyetësorin për anëtarësim dhe dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën.
Për të forcuar bashkëpunimin ekonomik me BE-në në kuadër të iniciativës “Single Market Highway” Kurti i dorëzoi Presidentes von der Leyen tri letra zyrtare me interesin e Kosovës për të nisur dialogun strategjik në tre sektorë kyç, Bujqësi, Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit (TIK), si dhe Industri të Mbrojtjes, fusha ku Kosova sheh avantazh krahasues dhe potencial të lartë zhvillimi.
Von Der Leyen e cila vizitoi për herë të pestë Kosovën që nga viti 2021, para Kurtit takoi presidenten Vjosa Osmani.
Pas takimit me Osmanin, Von Der Leyen në rrjetin social amerikan X tha se Bashkimi Evropian është i përkushtuar për një të ardhme në të cilën “të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Bashkimit”.
“Për këtë, është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë ndërtimin e institucioneve të sigurta. Të depërshkallëzojë tensionet në shtet. Dhe po ashtu, Kosova duhet t’i finalizojë hapat e domosdoshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes”, shkroi ajo.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.