BALLKANI

Kryeministri Kurti: Kemi nevojë për bashkëpunim me opozitën për presidentin

"Për dy të tretat e votave që nevojiten në Kuvend, prej marrëveshjeve ndërkombëtare deri te zgjedhja e presidentes apo presidentit, ne kemi nevojë për bashkëpunim me opozitën", tha Kurti

Agim Sulaj  | 30.01.2026 - Përdıtësım : 30.01.2026
Kryeministri Kurti: Kemi nevojë për bashkëpunim me opozitën për presidentin

Prishtinë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është i gatshëm dhe ka interesim për një bashkëpunim me partitë e opozitës së legjislaturës së ardhshme në Kuvendin e Kosovës, por, mbetet të shihet gjatë muajit shkurt nëse kjo gatishmëri do të jetë reciproke, transmeton Anadolu.

Kurti nëpërmjet një deklarimi për media sot tha se duhet të shihet në Kuvend nëse ka atmosferë për një raport të ri pushtet-opozitë. Ai theksoi se është takuar dhe me presidenten aktuale Vjosa Osmani, por nënvizon se para procesit të zgjedhjes së presidentit duhet fillimisht të kalohen tre hapa të tjerë.

"Populli na ka dhënë mbështetje shumë të madhe, e cila është përgjegjësi e lartë për ne për formimin e qeverisë; nuk do të kemi asnjë problem, por për dy të tretat e votave që nevojiten në Kuvend, prej marrëveshjeve ndërkombëtare deri te zgjedhja e presidentes apo presidentit, ne kemi nevojë për bashkëpunim me opozitën. Nga ana jonë, gatishmëria dhe interesimi ekziston", tha Kurti.

Ai shtoi se deri te votimi i presidentit apo presidentes duhet të pritet fillimisht për certifikimin e rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), pastaj konstituimi i Legjislaturës së re të Kuvendit, formimin e qeverisë së re dhe vendimet për marrëveshjet ndërkombëtare.

Kryeministri në detyrë Kurti tha se Kosova ka përpara tri marrëveshje me Bankën Botërore, planin e rritjes së Bashkimit Evropian, i cili është në shumën e gjithëmbarshme prej 882.6 milionë euro, ku rreth 30 për qind janë grante ndërkaq 70 për qind janë kredi.

Presidentes aktuale Vjosa Osmani do t'i skadojë mandati si e para e vendit në prill të vitit 2026.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın