Kryeministri kroat thotë se vendi i tij nuk do t'i bashkohet Bordit të Paqes të Trumpit
Plenkoviq u tha gazetarëve në Zagreb se qeveria dhe shumica parlamentare, pas analizave të kryera, kanë marrë qëndrimin që Kroacia për momentin të mos hyjë në këtë bord
Sarajevë
Kroacia në këtë moment nuk do t’i bashkohet Bordit të Paqes të presidentit amerikan Donald Trump, tha sot kryeministri i vendit Andrej Plenkoviq, duke shtuar se për këtë çështje ka zhvilluar një bisedë të shkurtër telefonike me presidentin Zoran Milanoviq, raporton Anadolu.
Plenkoviq u tha gazetarëve në Zagreb se qeveria dhe shumica parlamentare, pas analizave të kryera, kanë marrë qëndrimin që Kroacia për momentin të mos hyjë në këtë bord dhe hodhi poshtë pretendimet se për një vendim të tillë i nevojitet mbështetja e presidentit. “Nuk na duhet asnjë asistent për të marrë një qëndrim”, tha ai.
Presidenti Milanoviq më herët kishte deklaruar se kryeministri po kërkon “mbulim” prej tij për të refuzuar ftesën, gjë që Plenkoviq e mohoi, duke theksuar se e kishte telefonuar vetëm për ta informuar për vendimin tashmë të marrë.
Trump më 15 janar njoftoi krijimin e Bordit të Paqes si pjesë e planit të tij më të gjerë për Gazën, në kuadër të të cilit u arrit një marrëveshje për armëpushim. Bordi u miratua me Rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në nëntor 2025 dhe u prezantua zyrtarisht në edicionin e këtij viti të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.
Fillimisht, bordi ishte konceptuar për të mbikëqyrur armëpushimin dhe rindërtimin e Gazës, por statuti i tij e zgjeron mandatin edhe në ndërtimin e paqes në të gjitha zonat e prekura ose të rrezikuara nga konfliktet.
Bordi i sapokrijuar i Paqes i administratës së presidentit amerikan Donald Trump njoftoi të mërkurën 26 shtete të emëruara si themeluese të kësaj nisme.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
