BALLKANI

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Mickoski i cilëson si sulm ndaj demokracisë "përgjimet e paligjshme"

Mickoski theksoi se vendi po përballet me një skandal të ri, "përgjime të paligjshme dhe abuzim masiv të sistemit gjatë viteve të fundit"

Dzihat Aliju  | 02.09.2025 - Përdıtësım : 02.09.2025
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Mickoski i cilëson si sulm ndaj demokracisë "përgjimet e paligjshme"

Shkup

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski pretendon se Agjencia e Sigurisë Kombëtare e ka përgjuar atë në mënyrë të paligjshme në periudhën kur ai ka qenë në opozitë, duke e cilësuar këtë si sulm ndaj demokracisë, raporton Anadolu.

Duke folur në një aktivitet në qeveri, Mickoski theksoi se vendi po përballet me një skandal të ri, "përgjime të paligjshme dhe abuzim masiv të sistemit gjatë viteve të fundit".

"Unë personalisht, atëherë si kryetar i partisë më të madhe opozitare, sot si kryeministër, së bashku me gazetarët, mediat, biznesmenët dhe figurat publike, kemi qenë viktima të sistemit që monitoronte qytetarët e tij. Ky nuk është vetëm sulm ndaj meje, por ndaj demokracisë, ndaj të drejtës së lirisë, ndaj themeleve të shtetit", theksoi kryeministri maqedonas, duke shtuar:

"Nuk do të ketë drejtësi selektive. Do të ketë llogaridhënie. Do të ketë zgjidhje ligjore. Populli ynë ka qenë viktimë e abuzimeve, skemave të korrupsionit dhe qendrave sekrete të pushtetit për një kohë shumë të gjatë. Koha e të paprekshmëve ka mbaruar".

Ndërkaq, nga ana tjetër, ish-kreu i Agjencisë Sigurisë Kombëtare të Maqedonisë së Veriut, Viktor Dimovski, në një postim në rrjetet sociale mohoi pretendimet.

"Duke pasur parasysh se në një konferencë të mëparshme në Agjencinë e Sigurisë Kombëtare u përmend periudha nga viti 2019 deri në vitin 2024, një pjesë e së cilës unë shërbeva edhe si Drejtor i Agjencisë, deklaroj me përgjegjësi se ai, si udhëheqës i partisë së atëhershme opozitare, nuk ishte subjekt i interesit të veçantë operativ të Agjencisë në periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2022, nuk ishte subjekt i punës së organizuar operative dhe për rrjedhojë, nuk ishte një shënjestër kundër të cilit u aplikuan masa operative-teknike", shkroi ai.

Mickoski, më parë në një deklaratë tha se Agjencia e Inteligjencës dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare kanë përgjuar atë dhe opozitën e atëhershme VMRO-DPMNE-në si dhe gazetarët dhe biznesmenët.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.