BALLKANI

Kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov arrin në vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut

Ky është takimi i parë zyrtar me një delegacion të jashtëm që kryeministri i sapozgjedhur, Kovaçevski, po e bën si nikoqir, pasi dje zyrtarisht mori detyrën dhe kabinetin e kryeministrit të deritanishëm, Zaev

Abdula Berisha  | 18.01.2022 - Përdıtësım : 18.01.2022
Kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov arrin në vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut Foto: Abdula Berisha / AA

Shkup

Delegacioni qeveritar, i kryesuar nga kryeministri i sapozgjedhur i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, me një ceremoni zyrtare priti delegacionin nga Republika e Bullgarisë, të kryesuar nga kryeministri Kiril Petkov, raporton Anadolu Agency (AA).

Ky është takimi i parë zyrtar me një delegacion të jashtëm që kryeministri i sapozgjedhur, Dimitar Kovaçevski, po e bën si nikoqir, pasi dje zyrtarisht mori detyrën dhe kabinetin e kryeministrit të deritanishëm, Zoran Zaev.

Ceremonia u mbajt para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, në prani të Gardës së Nderit të Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut dhe Orkestrës Ushtarake, e cila intonoi himnet e të dy vendeve.

Në kuadër të vizitës, kryeministrat Kovaçevski dhe Petkov do të mbajnë konferencë të përbashkët për media. Më pas në Klubin e Deputetëve, dy kryeministrat do të promovojnë zyrtarisht projektin zhvillimor “Ditari Elektronik për Personat me Diabet”.

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria nënshkruan një Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë në vitin 2017, por mbetet i pazgjidhur kontesti mbi historinë e përbashkët të dy vendeve. Bullgaria nuk e miraton kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian (BE), sepse ajo nuk pasqyron kërkesat bullgare për gjuhën maqedonase dhe pakicën maqedonase.

Kujtojmë se në mars të vitit 2020, vendet anëtare të BE-së ranë dakord për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Qeveria e koalicionit e ish-kryeministrit bullgar Bojko Borisov i dorëzoi Bashkimit Evropian një dokument ku theksohen kushtet që duhet të përmbushë Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Më vonë, në nëntor 2020, Bullgaria vuri veto ndaj negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.