BALLKANI

Kryediplomatët shqiptar dhe rumun zhvillojnë bisedë telefonike, riafirmojnë marrëdhëniet dypalëshe

Ministri shqiptar Hoxha tha se gjatë bisedës me ministren rumune Toiu u theksua angazhimi i përbashkët për forcimin e mëtejshëm të partneritetit në dobi të vendeve dhe qytetarëve të tyre

Abdulbesar Ademi  | 02.04.2026 - Përdıtësım : 02.04.2026
Kryediplomatët shqiptar dhe rumun zhvillojnë bisedë telefonike, riafirmojnë marrëdhëniet dypalëshe Foto: Ministria e Jashtme e Shqipërisë

Tiranë

Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një bisedë telefonike të parë me homologen e tij rumune, Oana-Silvia Toiu, të cilën e cilësoi si të ngrohtë dhe konstruktive gjatë së cilës u riafirmuan marrëdhëniet shumë të mira dhe të qëndrueshme mes dy vendeve, transmeton Anadolu.

Në rrjetin social amerikan X, Hoxha tha se gjatë bisedës u theksua angazhimi i përbashkët për forcimin e mëtejshëm të partneritetit në dobi të vendeve dhe qytetarëve të tyre.

“Shpreha vlerësimin tim të sinqertë për mbështetjen e vazhdueshme të Rumanisë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe përsërita gatishmërinë tonë për të punuar ngushtë së bashku për të rritur bashkëpunimin rajonal, për të promovuar stabilitetin dhe për të çuar përpara perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”, shkroi Hoxha.

Ai tha se po ashtu u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fushat e arsimit dhe kulturës, si dhe nevojën për zgjerimin e mëtejshëm të shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare, duke synuar shfrytëzimin e plotë të potencialit të partneritetit ekonomik.

Gjatë bisedës, tha Hoxha, u theksua edhe roli i Rumanisë në kryesimin e nismave të rëndësishme rajonale këtë vit, përfshirë Nismën e Evropës Qendrore dhe Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, ku siç theksoi ai, Shqipëria shprehu mbështetjen për prioritetet e kryesimit rumun, veçanërisht në fushat e integrimit evropian, lidhshmërisë, qëndrueshmërisë sociale dhe rinisë.

Në një postim tjetër, Hoxha po ashtu njoftoi se zhvilloi një takim në Tiranë me një delegacion nga Komisioni për Çështje Ligjore, Emërime, Disiplinë, Imunitete dhe Verifikime i Senatit të Rumanisë.

Hoxha theksoi se gjatë takimit u theksua se teksa Shqipëria po avancon me vendosmëri në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, Rumania mbetet një partner i fortë dhe i besueshëm, përvoja dhe përkushtimi i së cilës janë të vlefshme për procesin e reformave dhe integrimit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.