BALLKANI

Kryediplomati turk, Çavuşoğlu, pritet në takim nga zv/kryeministri Osmani

"Marrëdhëniet miqësore tradicionale të afërta mes dy vendeve janë shembull i vërtetë për ndërtimin e partneritetit strategji", theksoi Osmani

Besar Ademi  | 16.07.2019 - Përdıtësım : 16.07.2019
Kryediplomati turk, Çavuşoğlu, pritet në takim nga zv/kryeministri Osmani ( Besar Ademi - Anadolu Agency )

Shkup

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, i cili qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, është pritur në takim nga zv/kryeministri për çështje evropiane i këtij vendi, Bujar Osmani, pas çka vijoi edhe takimi midis delegacioneve të të dy institucioneve, raporton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton kabineti i zv/kryeministrit Osmani, dy bashkëbiseduesit diskutuan për bashkëpunimin bilateral dhe mundësitë për thellimin në të ardhmen në kuadër të partneritetit strategjik afatgjatë, si dhe u hapën temat lidhur me integrimin evropian dhe perspektivat e Maqedonisë së Veriut gjatë periudhës së ardhshme, në pritje të fillimit të negociatave në tetor.

"Marrëdhëniet miqësore tradicionale të afërta mes dy vendeve janë shembull i vërtetë për ndërtimin e partneritetit strategjik, dhe në këtë kuptim, me kënaqësi mund të them se me ratifikimin e Protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO nga ana e Kuvendit të Madh Popullor, Turqia dëshmoi mbështetjen shumëvjeçare të vendit tonë në rrugën e saj drejt integrimit evropian dhe euro-atlantik", theksoi zv/kryeministri Osmani.

Osmani dhe Çavuşoğlu po ashtu këmbyen mendime edhe për gjendjet në rajon, duke theksuar se suksesi në tejkalimin e çështjeve të hapura të Maqedonisë së Veriut me fqinjët është shembull i shkëlqyer i Ballkanit që duhet të jetë motivim dhe shtytje për të gjitha vendet tjera të Ballkanit.

Shefi i diplomacisë turke që dje qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut, ku mori pjesë në një panel diskutimi në Shkup në kuadër të 15 korrikut, Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar, program i organizuar nën patronazhin e Ambasadës turke dhe në mbështetje të TIKA-s, Institutit "Yunus Emre", Anadolu Agency (AA), Fondacionit Maarif dhe Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik në Shkup (IBU).

Çavuşoğlu u prit në takim edhe nga kryeministri i vendit, Zoran Zaev dhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.