Kryediplomati kroat: Kroacia mbështet ambicien e Shqipërisë për të qenë pjesë e BE-së
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali është takuar sot në Zagreb me homologun kroat, në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Kroaci
Tiranë
Ministri kroat për Punët e Jashtme dhe Çështjet Evropiane, Gordan Gërliq-Radman ka deklaruar se Kroacia mbështet ambicien e Shqipërisë për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian (BE), transmeton Anadolu.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali është takuar sot në Zagreb me homologun kroat, në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Kroaci.
Në një njoftim nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë thuhet se në deklaratën e saj të përbashkët pas takimit, Spiropali ka theksuar se bisedimet sot me homologun kroat ishin thelbësore, dinamike dhe të orientuara drejt së ardhmes.
"Bashkarisht u dakorduam të intensifikojmë bashkëpunimin në të gjitha fushat strategjike, përfshirë: Përgatitjen e mbledhjes së parë ndërqeveritare (G2G), mundësisht në vitin 2026, një moment historik që e ngre bashkëpunimin tonë në një dimension të ri institucional; thellimin e bashkëpunimit të shkëlqyer në fushën e integrimit evropian, ku përvoja e Kroacisë mbetet e pazëvendësueshme dhe bashkëpunim më të ngushtë në sektorin e energjisë, ku Shqipëria dhe Kroacia ndajnë të njëjtat objektiva strategjike: si diversifikim, ndërlidhje dhe siguri afatgjatë", ka deklaruar Spiropali.
Ajo tha se u dakorduan të përshpejtojmë bashkëpunimin për prioritetet kryesore të konektivitetit, përfshirë Autostradën Adriatiko–Joniane (Korridori Blu) dhe shqyrtimin, e një plani të ardhshëm, të potencialit të Gazsjellësit Adriatiko–Jonian (IAP).
"Objektivi ynë është i qartë: ta bëjmë rajonin tonë më të ndërlidhur, më të qëndrueshëm dhe më të përafruar me arkitekturën evropiane dhe euro atlantike. Në këtë kontekst, mirëpritëm rritjen e bashkëpunimit të mbrojtjes mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, siç reflektohet në formatin trilateral të krijuar këtë vit dhe të formalizuar përmes 'Deklaratës së Përbashkët për Bashkëpunimin në fushën e Mbrojtjes. E konsiderojmë këtë bashkëpunim një platformë të vlefshme për rritjen e ndërveprueshmërisë, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse rajonale dhe mbështetjen e rrugës euroatlantike të Kosovës", ka theksuar ndër të tjera Spiropali.
Sipas ministrisë, kryediploamti kroat ka theksuar se suksesi i Shqipërisë tregon se qasja e Kroacisë për anëtarësim në BE përmes meritës dhe përmbushjes së kritereve është e drejtë dhe sipas tij, Shqipëria është një shembull i kësaj. "Kroacia mbështet ambicien e Shqipërisë për të qenë pjesë e BE", ka deklaruar ai.
Gjatë vizitës në Kroaci, Spiropali është takuar edhe me presidentin Zoran Milanoviq dhe do të zhvillojë një takim me Komitetin për Çështjet e Jashtme të Parlamentit të Kroacisë.
