Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut pret në takim homologun maroken
"Diskutuam avancimin e marrëdhënieve politike, por edhe mundësitë e reja për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar, forcimin e investimeve dhe organizimin e forumit të parë të përbashkët të biznesit", tha ministri Mucunski

Shkup
Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme, Bashkëpunimit Afrikan dhe Emigrantëve Marokenë i Mbretërisë së Marokut, Nasser Bourita, i cili qëndron për një vizitë zyrtare në vend, transmeton Anadolu.
Lidhur me takimin, ministria maqedonase tha se "kjo vizitë është një konfirmim i marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe, vlerave të përbashkëta dhe vizionit të përbashkët për të ardhmen".
Të dyja palët riafirmuan gatishmërinë e tyre për të intensifikuar dialogun politik dhe bashkëpunimin e përgjithshëm dypalësh.
Ministrat theksuan se vizita e sotme shënon fillimin e një kapitulli të ri në marrëdhëniet midis dy vendeve, të cilat do të vazhdojnë të zhvillohen me angazhim të ndërsjellë.
"Diskutuam avancimin e marrëdhënieve politike, por edhe mundësitë e reja për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar, forcimin e investimeve dhe organizimin e forumit të parë të përbashkët të biznesit. Diskutuam gjithashtu mundësinë e vendosjes së një fluturimi direkt midis dy vendeve tona", tha ministri Mucunski.
Me qëllim forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve, ministrat nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi midis dy Ministrive të Punëve të Jashtme.
Gjithashtu edhe ministri i Kulturës i Maqedonisë së Veriut, Zoran Ljutkov, dhe homologu i tij maroken nënshkruan një Memorandum për Promovimin e Bashkëpunimit në Fushën e Turizmit.
Gjatë takimit, ministrat Mucunski dhe Bourita nënshkruan një Deklaratë të Përbashkët, në të cilën, ndër të tjera, Maqedonia e Veriut mirëpret përpjekjet serioze dhe të besueshme të Mbretërisë së Marokut për të çuar përpara procesin nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara (OKB), duke marrë parasysh se Plani i Autonomisë për Saharën Perëndimore, të cilin Maroku ia paraqiti Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në vitin 2007, përfaqëson një bazë unike për një zgjidhje që do të miratohej brenda kornizës së OKB-së, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin në kuadër të organizatave shumëpalëshe.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.