BALLKANI

Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut takohet me komisaren për zgjerim të BE-së në Bruksel

Ministri Mucunski tha se reformat që lidhen me integrimin evropian mbeten lart në axhendën politike të brendshme, me një fokus të fortë në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

Dzihat Aliju  | 26.08.2025 - Përdıtësım : 27.08.2025
Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut takohet me komisaren për zgjerim të BE-së në Bruksel Foto: MPJ e Maqedonisë së Veriut

Shkup

Ministri i Jashtëm dhe i Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski ka takuar Komisaren për Zgjerim të Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Bruksel, transmeton Anadolu.

Sipas një njoftimi të ministrisë, bashkëbiseduesit theksuan mbështetjen e fortë për zgjerimin e BE-së, si nga shtetet anëtare ashtu edhe nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut, gjë që konfirmohet edhe nga gjetjet e "Eurobarometrit" të fundit.

Në takim u përshëndet qasja reformuese e Qeverisë, veçanërisht përmbushja e detyrimeve nga procesi i reformave dhe zbatimi i Planit të Rritjes, thuhet në njoftim.

Ministri Mucunski theksoi se reformat që lidhen me integrimin evropian mbeten lart në axhendën politike të brendshme, me një fokus të fortë në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

Ai shprehu mirënjohje për angazhimin personal të komisares Kos në procesin e anëtarësimit, veçanërisht në kontekstin e pjesëmarrjes dhe mbështetjes së saj në Samitin e Planit të Rritjes, i cili u mbajt së fundmi në Shkup.

Bashkëbiseduesit shkëmbyen pikëpamje mbi anëtarësimin e fundit të Maqedonisë së Veriut në SEPA, si dhe iniciativën për të hequr gradualisht kostot e roaming-ut midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Vendimi për këtë iniciativë pritet në fillim të vitit 2026, si pjesë e përfitimeve të integrimit gradual në BE.

Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale rajonale dhe globale, duke riafirmuar mbështetjen e ndërsjellë për Ukrainën dhe angazhimin për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme sa më shpejt të jetë e mundur.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın