Kryediplomati gjerman: Shqipëria është plotësisht e vendosur për të vijuar rrugën drejt integrimit në BE
Në kuadër të turit në vendet e Ballkanit, ministri Wadephul ka vizituar Shqipërinë, ku është takuar me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, me të cilën mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat
Tiranë
Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, ka deklaruar se Shqipëria është plotësisht e vendosur për të vijuar rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu.
Në kuadër të turit në vendet e Ballkanit, Wadephul ka vizituar Shqipërinë, ku është takuar me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, me të cilën mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat.
Spiropali: Shqipëria mbetet një faktor stabiliteti
Spiropali theksoi se vizita e ministrit Wadephul mbart një tjetër simbolikë të veçantë pasi përkon me një moment historik për Shqipërinë, hapjen e bisedimeve për grupkapitullin e fundit.
"Sot më shumë se kurrë ne jemi të vendosur për një Shqipëri me institucione të forta demokratike, me zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social, me ekonomi konkurruese, me sistem drejtësie të pavarur dhe mirëqenie për qytetarët tanë dhe kontribuuese për një Evropë të bashkuar dhe të sigurt", tha Spiropali.
Duke folur për procesin e integrimit evropian, ajo u shpreh: "Objektivi ynë kombëtar është ambicioz, por nga sot plotësisht i arritshëm. Me mbështetjen e Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare, të mbyllim negociatat brenda vitit 2027 dhe të jemi gati për anëtarësim brenda kësaj dekade. Në Shqipëri, mbështetja për integrimin besoj është rekord në Evropë, është 92 për qind nga qytetarët tanë dhe është më e larta se kudo tjetër në rajon".
Spiropali shtoi se e konsiderojnë Gjermaninë defakto një partner strategjik dhe tha se kanë vullnetin e plotë për të avancuar bashkëpunimin në të gjitha fushat.
Ajo shtoi se vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë që si dy aleatë në NATO dhe theksoi se Shqipëria dhe Gjermania kanë dënuar bashkërisht fuqishëm “agresionin rus kundër Ukrainës”.
Spiropali tha se Shqipëria është plotësisht e linjëzuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.
"Diskutuam gjerësisht për situatën në rajon. Shqipëria mbetet një faktor stabiliteti dhe një partner i fortë në përpjekjet për një rajon më të sigurt dhe të integruar. Për Shqipërinë, bashkëpunimi me Kosovën në veçanti është në krye të listës së prioriteteve. I konsiderojmë masat kufizuese në të cilat gjendet Kosova të tejkaluara, të tepruara dhe penguese për procesin e integrimit të saj në BE dhe apelojmë për heqjen e menjëhershme të tyre. Ne kemi mbështetur dhe kemi inkurajuar angazhimin serioz të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë", tha Spiropali.
- Kryediplomati gjerman: Mbështesim qeverinë shqiptare në rrugën e saj drejt integrimit evropian
Wadephul u shpreh se Gjermania mbështet qeverinë shqiptare në rrugën e saj të mëtejshme drejt integrimit evropian.
"Mendoj se në asnjë vend tjetër të rajonit mbështetja për anëtarësim në BE nuk është kaq e madhe sa këtu në Shqipëri. Shqipëria është plotësisht e vendosur për të vijuar rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Bashkimi Evropian dhe Gjermania qëndrojnë të vendosur në krah të Shqipërisë. Progresi i Shqipërisë është mbresëlënës", tha Wadephul.
Ministri Wadephul theksoi se në menaxhimin e sfidave dy vendet janë krah për krah njëri-tjetrit.
"Nëse Shqipëria do të vijojë të ecë në rrugën e saj që ka nisur dhe nëse intensifikon më tepër përpjekjet e saj, mendoj se shanset e anëtarësimit janë mjaft të mira. Bëhet fjalë për realizimin e reformave për sa i përket shtetit ligjor para së gjithash, lirisë së medias dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Një sistem drejtësie i pavarur është me rëndësi qendrore", tha ndër të tjera ai.
Wadephul theksoi se qëndrojnë në anën e Ukrainës "në këto kohë të vështira dhe sfidash kundër agresionit rus".
Pas vizitës në Shqipëri, Wadephul do të vazhdojë turin e vizitave në vendet e tjera të rajonit.
