Kryediplomati gjerman në Beograd: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi i pashmangshëm
"Një dialog për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën nën udhëheqjen e BE-së është gjithashtu i pashmangshëm. Marrëveshja e Ohrit është detyruese dhe duhet të zbatohet", tha Wadephul
Sarajevë/Beograd
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul gjatë vizitës së tij në Beograd deklaroi se Serbia është pjesë e familjes evropiane, raporton Anadolu.
Lidhur me marrëdhëniet me Serbinë, Wadephul deklaroi se Beogradi dhe Berlini janë të lidhur dhe se Serbia është "pjesë e familjes evropiane".
"Gjermania dhe Serbia kanë qenë prej kohësh të lidhura ngushtë si ekonomikisht ashtu edhe nëpërmjet kontakteve të shumta personale. Shumë kompani gjermane operojnë me sukses në Serbi. Gjermania është partneri më i rëndësishëm tregtar i Serbisë. Një numër i madh njerëzish me origjinë nga Serbia kanë gjetur shtëpinë e tyre në Gjermani. Këto lidhje janë me vlerë të paçmueshme. Serbia është pjesë e familjes sonë evropiane dhe duhet të ketë mundësinë të marrë pjesë në bashkësinë e vlerave të BE-së", tha Wadephul sot në konferencën për mediat me homologun serb Marko Gjuriq.
Ai theksoi se tashmë ka shumë gjëra që lidhin Serbinë dhe vendet e BE-së.
"Ne duam t'i zgjerojmë më tej këto lidhje. Jini të sigurt se Gjermania do të jetë partneri juaj i ngushtë në këtë", tha Vadeful.
Ai theksoi se premtimi që BE-ja u bëri vendeve të Ballkanit Perëndimor në Selanik në vitin 2002 mbetet i vërtetë dhe se ishte në atë frymë të hapur besimi që ata diskutuan se si mund të avokonin së bashku për më shumë bashkëpunim dhe për mbrojtjen e vlerave evropiane, lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit.
"Shpjegova se Serbia, si vendi më i fortë ekonomikisht dhe më i populluar në Ballkanin Perëndimor, ka një rëndësi të veçantë. Nuk ndamë të njëjtin mendim për të gjitha çështjet, por ramë dakord se ka shumë fusha për bashkëpunim edhe më të ngushtë. Pikërisht në lidhje me furnizimin me energji dhe rritjen e përdorimit të burimeve të energjisë së rinovueshme mund ta zgjerojmë bashkëpunimin tonë. Synimet tona, ndër të tjera, janë forcimi i pavarësisë nga Rusia. Diskutuam edhe për sigurinë e Evropës", tha ministri gjerman.
- Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi
Ai shtoi se Gjermania dhe BE-ja janë të gatshme të jenë partnerë të Serbisë në rrugën drejt BE-së, me qëllim arritjen e përparimit atje.
"Një dialog për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën nën udhëheqjen e BE-së është gjithashtu i pashmangshëm. Marrëveshja e Ohrit është detyruese dhe duhet të zbatohet. Kjo vlen për të dyja palët, si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën. Në rrugën drejt BE-së, Procesi i Berlinit është katalizator i rëndësishëm. Jam i kënaqur që Serbia po merr pjesë aktive në këtë. Dhe premtoj se qeveria federale do të vazhdojë të luajë rol të rëndësishëm në këtë. Tani është thelbësore të arrijmë përparim konkret", tha Wadephul.
Ai theksoi se marrëveshjet e lëvizshmërisë të lidhura në rajonin e Ballkanit Perëndimor vitet e fundit duhet të zbatohen dhe se ato përfshijnë liri të plotë udhëtimi, akses të papenguar në institucionet e arsimit të lartë, njohje të diplomave universitare dhe krijimin e një tregu të përbashkët rajonal.
"Bëhet fjalë për lehtësim konkret për njerëzit që jetojnë këtu. Dhe ato janë të rëndësishme, sepse afrimi i vërtetë do të ndodhë vetëm kur të rritet besimi në të gjithë rajonin. Nuk është e lehtë, por përpjekja ia vlen, sepse qëllimi ynë është i qartë, të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëhen pjesë e BE-së", tha Wadephul.
- Çështja e Ukrainës
Duke folur për Ukrainën, Wadephul tha se vendi po përballet me një dimër të vështirë lufte dhe se aftësitë mbrojtëse të Ukrainës duhet të forcohen.
"Ndihma për Ukrainën nuk është vetëm financiare dhe ushtarake, por edhe politike", tha Wadephul, duke kujtuar se BE-ja ka miratuar paketën e 19-të të sanksioneve kundër Rusisë.
Kujtojmë se kryediplomati gjerman Johann Wadephul filloi të dielën vizitën e tij në vendet e Ballkanit Perëndimor.
