Politikë, BALLKANI

Kryediplomati austriak: Bëjmë përpjekje që Maqedonia e Veriut t'i fillojë bisedimet nga dhjetori

Michael Linhart u shpreh se Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe se Maqedonia e Veriut është një shembull tipik i kandidatit për anëtarësim në BE

Abdula Berisha  | 18.11.2021 - Përdıtësım : 19.11.2021
Kryediplomati austriak: Bëjmë përpjekje që Maqedonia e Veriut t'i fillojë bisedimet nga dhjetori ( Umeys Sulejman/AA )

Shkup

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, priti ministrin Federal për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë, Michael Linhart, raporton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e përbashkët për media, ministri Osmani tha se në fokus të bisedimeve ishte integrimi evropian i vendit, duke theksuar se Austria është një nga mbështetësit më të zëshëm të këtij procesi, duke mbajtur qëndrimin se "Evropa nuk është e kompletuar derisa Ballkani Perëndimor nuk është pjesë e BE-së".

"Ndodhemi në një periudhë jashtëzakonisht të rëndësishme të integrimeve evropiane të shtetit dhe rajonit. I tregova ministrit se në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në dosjen tonë qëndron çelësi i debllokimit të gjithë rajonit, pasi sipas rendit të gjërave, nga këtu fillon debllokimi i rajonit, përmes fillimit të bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, që pastaj do të inkurajojë edhe shtetet tjera të mbyllin, të zgjidhin kontestet", tha Osmani.

- Linhart: Bëjmë përpjekje që Maqedonia e Veriut t'i fillojë bisedimet nga dhjetori

Ministri austriak Linhart theksoi se vizita e tij e parë që kur mori postin është pikërisht në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar rëndësinë që vendi i tij ia përkushton rajonit. Ai u shpreh se Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe se Maqedonia e Veriut është një shembull tipik i kandidatit për anëtarësim në BE.

"Ne bëjmë përpjekje dhe do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje që nga dhjetori të fillojnë bisedimet. Kjo është kërkesa jonë, këtë kërkesë e parashtrojmë para partnerëve tanë në BE, edhe atë në mënyrë intensive", u shpreh Linhart.

Ai gjithashtu tha se samiti i dhjetorit i BE-së është një dritare e mundësisë për të gjithë, duke përfshirë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por edhe BE-në.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Linhart përveç takimit me Osmanin do të takohet edhe me liderë të tjerë shtetërorë duke përfshirë presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeministrin Zoran Zaev.

Përveç delegacionit politik, Linhart shoqërohet edhe nga delegacion i afaristëve austriak, me ç’rast do të realizohet edhe një forum biznesi si dhe do të realizohen takime edhe me resorët ekonomik të Qeverisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.