Kreu i PDK-së pas takimit me Kurtin: Duhet të ndërrohet kandidati për kryeparlamentar
“Nuk janë zgjedhjet zgjidhja e parë, por ato janë opsion i vërtetë. Nëse ka një bllokadë, këmbëngulje nga ana e Vetëvendosjes, e cila mund ta bëjë Vetëvendosjen të këmbëngulë tek Albulena Haxhiu... më mirë është të shkojmë në zgjedhje”, tha ai

Prishtinë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka deklaruar se kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, duhet ta ndryshojë emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit të Kosovës, raporton Anadolu.
Krasniqi në një konferencë për media pas takimit me Kurtin tha se atyre nuk u përket e drejta të propozojnë kandidatë të tjerë për kryeparlamentar, por këtë duhet ta bëjë Lëvizja Vetëvendosje.
“Nuk janë zgjedhjet zgjidhja e parë, por ato janë opsion i vërtetë. Nëse ka një bllokadë, këmbëngulje, kryeneçësi nga ana e Vetëvendosjes, e cila mund ta bëjë Vetëvendosjen të këmbëngulë tek Albulena Haxhiu, dorën në zemër më mirë është të shkojmë në zgjedhje”, tha Krasniqi.
Krasniqi, kreu i partisë së dytë më të madhe të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, tha se kandidati duhet të ndërrohet që sot, nëse ka vullnet për debllokim të situatës së krijuar nga 15 prilli.
“Ai duhet ta ndërrojë që sot kandidatin. A e ndërron... të shohim. Nëse nuk e ndërron tregon që nuk ka vullnet për ndryshimin e situatës”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se PDK-ja nuk i heziton asnjëherë dialogut, por tregoi se nuk ka pasur ndonjë avancim në takimin që pati me Kurtin.
Takimi mes liderëve të dy partive politike u thirr nga Kurti në mënyrë që të konsultohen një orë para seancës së re për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Nga 15 prilli, kur është mbajtur për herë të parë seanca konstituive, deri më tani vetëm janë betuar deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe ende nuk është zgjedhur kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetarët, gjë që do të bënte që Kuvendi të konsiderohej i konstituar.
Seancat e Kuvendit po shtyhet çdo 48 orë në mungesë të votave të mjaftueshme që Haxhiu, e propozuar për kryetare e Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, t’i marrë votat e nevojshme.
Haxhiu deri më tani ka marrë më së shumti 57 vota, ndërsa për t’u emëruar nevojiten 61 vota.
Për propozimin e ndonjë emri të ri si kryeparlamentar, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se do të ishte e padrejtë, ngase më vonë do t’u duhet edhe atyre që të japin pëlqime ose jo për emrat e propozuar nga opozita për nënkryetarë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.