BALLKANI

Krerët e rajonit reagojnë në lidhje me zjarrin në katedralen Notre Dame

Krerët shtetëror të Ballkanit kanë reaguar duke shprehur solidaritet me popullin francez, pasi katedralja e famshme mesjetare Notre Dame de Paris u kaplua nga zjarri

Besar Ademi  | 15.04.2019 - Përdıtësım : 15.04.2019
Krerët e rajonit reagojnë në lidhje me zjarrin në katedralen Notre Dame Foto: Mustafa Dilekli/AA

Shkup

Krerët shtetëror të Ballkanit kanë reaguar duke shprehur solidaritet me popullin francez, pasi katedralja e famshme mesjetare Notre Dame de Paris u kaplua nga zjarri, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në llogarinë e tij në twitter ka theksuar se me “trishtim të madh” ndjek pamjet e zjarrit në katedralen Notre Dame.

“Një vend i vërtetë i trashëgimisë së Parisit dhe vend i vjetër i Evropës. Lutjet e mia shkojnë për zjarrfikësit dhe të gjithë Parisianët në këtë natë shumë të vështirë”, ka shkruar Zaev.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, po ashtu ka shprehur solidaritet me popullin francez për këtë ngjarje dhe ka uruar për më pak dëme.

“I trishtuar nga zjarri i rënë në katedralen Notre Dame, në këtë simbol të Parisit dhe Francës, por edhe të trashëgimisë kulturore evropiane dhe botërore”, ka shkruar Meta.

Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nga ana e tij, ka theksuar se katedralja Notre Dame është një pjesë e madhe jo vetëm e pasurisë franceze, por edhe e asaj globale.

“Keqardhjet tona për Parisianët, francezët, komunitetin katolik dhe të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që kujdesen për Notre Dame de Paris”, ka shkruar në twitter presidenti Thaçi.

Po ashtu edhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, në twitter ka theksuar se këto imaze “shpirtcopëtuese” nga katedralja Notre Dame janë “tepër trishtuese dhe një dhimbje e madhe për të gjithë”.

“Vëmendjet tona janë me zjarrfikësit e Parisit ndërsa luftojnë me flakët në këto momente”, ka shkruar Pacolli.

Raportohet se kulmi i katedrales është shkatërruar plotësisht, ndërkohë shkaku i zjarrit ende është i panjohur.

Notre Dame, që do të thotë “Zonja jonë” është një nga pikat më të rëndësishme turistike të Parisit dhe daton që nga viti 1345.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın