BALLKANI

KQZ: Rreth 39 për qind e votuesve e shfrytëzuan të drejtën e votës në zgjedhjet lokale të 12 tetorit

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se procesi zgjedhor në Kosovë është zhvilluar në mënyrë të qetë, të rregullt dhe në përputhje me rregullat zgjedhore

Agim Sulaj  | 12.10.2025 - Përdıtësım : 12.10.2025
KQZ: Rreth 39 për qind e votuesve e shfrytëzuan të drejtën e votës në zgjedhjet lokale të 12 tetorit Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Komisioni Qendror i Kosovës (KQZ) ka bërë të ditur se deri në ora 19:00 kanë votuar 791.123 qytetarë me të drejtë vote në Republikën e Kosovës, respektivisht 39,07 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve, transmeton Anadolu.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se procesi zgjedhor në Kosovë është zhvilluar në mënyrë të qetë, të rregullt dhe në përputhje me rregullat zgjedhore.

Ai tha se gjatë ditës ka pasur probleme teknike, por janë evituar me efikasitet të shpejtë, pa ndërprerjen e procesit zgjedhor.

“Në të dhënat preliminare që kemi pranuar nga rreth 95 për qind e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 19:00 është 791.123 votues apo 39,07 për qind nga 2.025.105 votues”, tha Radoniqi.

Ai shtoi se deri në këtë kohë, në zgjedhjet e kaluara lokale, kishin votuar 770.171 votues apo 43 për qind e votuesve nga 1.885.448 votues.

Radoniqi tha se pas mbylljes së kutive të votimit me kohë, do të vazhdohet tani me numërimin e votave për kryetarë komunash, e më pas do të vazhdohet me numërimin e anëtarëve të subjekteve politike që garuan për kuvende komunale.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.