BALLKANI

Kovaçevski për propozimin francez: Jemi në një pozicion më të favorshëm për ne

Kovaçevski njoftoi se zyrtarisht ka arritur propozimi francez dhe se do të pasojë një proces i gjerë ku propozimi do të shqyrtohet edhe me presidentin, opozitën, si dhe me sektorin joqeveritarë

Abdulbesar Ademi  | 01.07.2022 - Përdıtësım : 02.07.2022
Kovaçevski për propozimin francez: Jemi në një pozicion më të favorshëm për ne Foto: Arkiv / AA

Shkup

Lidhur me propozimin francez për tejkalimin e mosmarrëveshjeve mes Shkupit dhe Sofjes, që ndoshta do të mundësojë fillimin e negociatave të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka deklaruar se e konsiderojnë si një bazë solide për ndërtimin e një qëndrimi serioz dhe të përgjegjshëm ndaj mundësisë që i hapet vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit me partnerët e koalicionit qeveritar, kryeministri Kovaçevski njoftoi se zyrtarisht ka arritur propozimi francez dhe se do të pasojë një proces i gjerë ku propozimi do të shqyrtohet edhe me presidentin, opozitën, si dhe me sektorin joqeveritarë. Ai shtoi se për të ndërtuar një qëndrim zyrtar si shtet, me takimin e sotëm ka filluar procesi i gjerë i konsultimit.

"Pozicioni në të cilin jemi sot është shumë më i favorshëm për ne. Para nesh kemi një propozim që përfshin vëzhgimet tona dhe pikëpamjet e shprehura qartë. Propozimin e shohim si një bazë solide për ndërtimin e një qëndrimi serioz, të përgjegjshëm dhe burrështeti ndaj mundësisë që i hapet vendit tonë. Si qeveri, ne në çdo aspekt i kemi qëndruar vazhdimisht qëndrimeve të shtetit për bisedimet me Bullgarinë. Ne mbrojtëm interesin kombëtar dhe identitetin kombëtar maqedonas", deklaroi kryeministri Kovaçevski.

Ai theksoi se në propozimin evropian kanë përcaktuar qëndrime për pranimin e qartë të gjuhës maqedonase, si dhe që protokolli të mos jetë në kornizën e negociatave.

"Qëndrimi ynë për nisjen e mëtejshme të procesit të negociatave pa kushte dhe mbajtja e një konference ndërqeveritare me BE-në është inkorporuar edhe në propozimin e dorëzuar tek ne. Dua të përsëris se kemi një plan dhe një strategji që jep rezultate", u shpreh Kovaçevski.

Më tej, Kovaçevski njoftoi se në takimin e sotëm, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe zv.kryeministri për çështjet evropiane, Bojan Mariçiq, shpjeguan procesin dhe propozimin, pas çka partnerët e koalicionit do ta shqyrtojnë dhe do të japin mendimin e tyre.

Propozimi francez për heqjen e vetos bullgare dhe fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE menjëherë pas takimit të partnerëve të koalicionit u publikua në faqen e qeverisë së vendit.

Kryeministri Kovaçevski po ashtu bëri thirrje për përgjegjësi nga të gjitha palët relevante të shoqërisë, sepse siç tha ai, spekulimet për çështje të rëndësishme shtetërore dhe kombëtare nuk janë në dobi askujt.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ka marrë statusin e vendit kandidat për në BE që në vitin 2005, por për shkak të kundërshtimit të Greqisë që vendi të pranohet me emrin kushtetues u vonua procesi i integrimit të vendit në BE.

Pas arritjes së Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, me çka vendi ndryshoi emrin kushtetues, Maqedonia e Veriut mbeti peng edhe nga fqinji i saj lindor, Bullgaria, me të cilin në vitin 2017 nënshkroi një Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë në vitin 2017, por mbetet i pazgjidhur kontesti mbi historinë e përbashkët të dy vendeve, pasi Bullgaria nuk e miratoi kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në, sepse ajo nuk pasqyron kërkesat bullgare për gjuhën maqedonase dhe pakicën bullgare.

Në mars të vitit 2020, vendet anëtare të BE-së ranë dakord për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Qeveria e koalicionit e ish-kryeministrit bullgar, Boyko Borisov, i dorëzoi BE-së një dokument ku theksohen kushtet që duhet të përmbushë Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Më vonë, në nëntor të vitit 2020, Bullgaria vuri veto ndaj negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın