BALLKANI

Kovaçevski: Evropa dhe BE-ja, koncept i bazuar në liri, demokraci dhe të drejtat e njeriut

Kovaçevski sot vendosi lule para monumentit “Çlirimtarët e Shkupit” në oborrin e Qeverisë dhe iu drejtua ceremonisë me rastin e 9 majit – Ditës së Fitores mbi Fashizmin dhe Ditës së Evropës

Husamedin Gina   | 09.05.2022
Kovaçevski: Evropa dhe BE-ja, koncept i bazuar në liri, demokraci dhe të drejtat e njeriut Foto: Husamedin Gina - AA

Shkup

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski tha se Evropa sot nuk është vetëm gjeografi dhe se Evropa dhe Bashkimi Evropian janë një koncept i bazuar në bindjet e përbashkëta themelore për liri, demokraci dhe të drejtat e njeriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Kovaçevski sot vendosi lule para monumentit “Çlirimtarët e Shkupit” në oborrin e Qeverisë dhe iu drejtua ceremonisë me rastin e 9 majit – Ditës së Fitores mbi Fashizmin dhe Ditës së Evropës.

Përveç kryeministrit, me rastin e ceremonisë u drejtuan edhe ambasadorja e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Kate Marie Burns dhe ambasadori i BE-së në vend, David Gere.

Kovaçevski në fjalën e tij duke theksuar se sot festohet një ditë e madhe, Dita e fitores mbi fashizmin dhe Dita e Evropës, tha se dita e sotme është shkruar me shkronja të arta në historinë e Evropës së përparuar dhe evropianëve.

“Zgjedhja e popullit maqedonas, së bashku me të gjitha kombet e tjera, ishte që shteti maqedonas të krijohet si shtëpi e lirisë, shtëpi e lirisë për të gjithë qytetarët, pa përjashtim, shtet i të gjithëve. Një shtëpi si Bashkimi Evropian sot, si një Evropë e përparuar dhe progresive”, tha kryeministri Kovaçevski.

Ai theksoi se Evropa sot nuk është vetëm gjeografi, Bashkimi Evropian nuk janë vetëm institucionet në Bruksel dhe Strasburg. Kovaçevski shtoi se Evropa dhe Bashkimi Evropian janë koncept i bazuar në bindjet e përbashkëta themelore për lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

Duke iu drejtuar ceremonisë, ambasadorja e SHBA-së në vend, Burns tha se çdo komb sot këtu ka identitetin e tij unik që buron nga një përvojë e përbashkët, një histori e përbashkët e respektimit të demokracisë, sovranitetit dhe integritetit territorial.

Ajo shtoi se njerëzit nga çdo komb evropian vlerësojnë sakrificat e bëra për të mbrojtur lirinë dhe për të promovuar paqen.

“Kurorat që vendosen sot lidhin dhe bashkojnë popullin e Maqedonisë së Veriut me të tjerët në Evropë, të cilët po ashtu vendosin sot lule. Ato janë simbole të kujtimit të atyre që dhanë jetën dhe simbole të angazhimit tonë për të mbështetur parimet e sakrificës”, tha ambasadorja Burns.

Ambasadori i BE-së në vend, David Gere tha se sot jemi dëshmitarë të luftës së përgjakshme dhe të pajustifikuar ruse në Ukrainë. Ai potencoi se rëndësia e parimeve mbi të cilat është themeluar Bashkimi Evropian është më e madhe se kurrë.

“Në fund të fundit, tragjikisht në Evropë, ne jemi edhe një herë dëshmitarë se çfarë do të thotë autokraci, cili është çmimi i vërtetë i doktrinës që i forti ka gjithmonë të drejtë”, shtoi Gere.

Kurora lulesh vendosën delegacionet e Lidhjes së Luftëtarëve të Luftës Antifashiste Popullore Çlirimtare, Delegacioni i Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Delegacioni i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Armata e Maqedonisë së Veriut, trupi diplomatik, partitë politike dhe organizata të tjera të shoqërisë civile.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın