BALLKANI

Kosovë, tryezë diskutimi për pozitën e grave në pozita të larta udhëheqëse

“Gratë po marrin dukshëm pozicione me përgjegjësi të lartë në Kosovë. Ne kemi këtu presidenten e vendit grua”, tha Szunyog

Agim Sulaj  | 21.07.2021 - Përdıtësım : 22.07.2021
Kosovë, tryezë diskutimi për pozitën e grave në pozita të larta udhëheqëse Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Është hapur në Prishtinë projekti “Përfshirja e Grave në Tavolinën e Negociatave” që ka për qëllim diskutimin për pozitën e grave në pozitat e larta udhëheqëse, organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Diskutimi, ku morën pjesë gra deputete, gra nga shoqëria civile dhe pozita tjera udhëheqëse, u fokusua tek jo-barazia midis gjinive në pozitat udhëheqëse, duke vënë në dritë se “janë burrat ata që drejtojnë institucionet më të larta shtetërore, ndërsa gratë janë në pozita kryesisht të përcaktuara me kuotë”.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se para 30 vitesh, kur kishte nisur punë si diplomat, në vendin e tij, në Çeki, ka qenë shumë e rrallë që të ketë gra diplomate, ndërsa tani, si në çdo vend, ka shumë prej tyre.

“Gratë po marrin dukshëm pozicione me përgjegjësi të lartë në Kosovë. Ne kemi këtu presidenten e vendit grua, më shumë ministra dhe zëvendësministra gra, më shumë deputete gra në Kuvendin e Kosovës, më shumë gra ndërmarrëse dhe drejtuese kompanish. Dhe, shpresoj se ky trend do të vazhdojë edhe në zgjedhjet lokale”, tha Szunyog.

Por, ai tha se numrat nganjëherë nuk janë indikator që tregojnë saktë një situatë, ngase gratë ende nuk kanë mundësi të barabarta në vendimmarrje.

Jovana Radosavljeviq nga Iniciativa Sociale e Re, tha se projekti “Përfshirja e Grave në Tavolinën e Negociatave” do të jetë një periudhë mjaft e ngjeshur, duke përfshirë trajnime me ekspertë gjinorë si dhe diskutim me ambasadorët e Kosovës.

Ajo tha se dëshirojnë që të marrin shembuj rajonal të ngritjes së barazisë gjinore edhe në nivelin lokal dhe të mos fokusohen vetëm në atë qendror.

“Qëllimi i këtij diskutimi është të arrihet që të bashkohet zëri i grave në Kosovë dhe nga ky debat dhe sesionet që do t’i mbajmë të sjellim rrëfime të ndryshme dhe të ndajmë me njëri-tjetrin ide se si mund të angazhohen tutje gratë në tryezën e negociatave”, tha Radosavljeviq.

Në këtë diskutim u përmend se në të kaluarën negociatat e Kosovës me Serbinë dhe ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel, i ishin besuar një gruaje, por numri i grave në pozita udhëheqëse në takime të larta shtetërore ka qenë vazhdimisht minimal.

Përcaktimi i politikave dhe një agjendë shtetërore për fuqizimin e grave u përmend si nevojë në diskutim, derisa u tha se ka përmirësim dukshëm të mirë pozita e gruas në Qeverinë aktuale, krahasuar me qeveritë e kaluara të Kosovës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın