Kosovë, "shëndeti mendor në burgje, shpeshherë aspekt i neglizhuar"
- Zëvendësshefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, Tankut Soykan, tha se në institucionet e shërbimit korrektues nevojitet të ketë staf të trajnuar si dhe ambient të sigurt për promovimin e kujdesit për shëndetin mendor

Prishtinë
PRISHTINË (AA) – Institucioni i Avokatit të Popullit organizoi konferencë ndërkombëtare me temë "Shëndeti mendor në institucionet e privimit të lirisë: Roli i Mekanizmit kombëtar për parandalim në mbrojtjen e të drejtave si dhe sigurimin e mbikëqyrjes efektive", raporton Anadolu.
Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues vendorë dhe ndërkombëtarë për të diskutuar lidhur me rëndësinë e kujdesit për shëndetin mendor në institucione të mbyllura dhe parandalimin e keqtrajtimit.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se mekanizmi kombëtar për parandalimin e torturës në Kosovë funksionon në kuadër të Institucionit të Avokatit të Popullit dhe se përmes vizitave të pandërprera e të paparapara në institucione të privimit nga liria, po kontribuohet drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve për personat e ndaluar dhe stafin që punon me ta.
Zëvendësshefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, Tankut Soykan tha se në institucionet e shërbimit korrektues nevojitet të ketë staf të trajnuar si dhe ambient të sigurt për promovimin e kujdesit për shëndetin mendor.
Sipas tij, "shëndeti mendor në burgje është shpeshherë aspekt i neglizhuar" dhe se privimi nga liria nuk është thjesht çështje e mbylljes së dikujt.
"Për Këshillin e Evropës, parandalimi i sëmundjeve mendore dhe torturës është shumë temë me rëndësi, e cila është e garantuar me artikullin e 3-të të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut", theksoi Soykan.
Ai tha se fatkeqësisht sot miliona njerëz në mbarë botën ndodhen në burgje dhe disa prej tyre vuajnë në kushte çnjerëzore, përfshirë mbipopullimin, mungesën e higjienës dhe kujdesit shëndetësor të paedukuar, veçanërisht përkujdesjen për shëndetin mendor.
Eksperti i Komitetit për Parandalim të Torturës të Këshillit të Evropës, Petr Hnatik, foli për përvojën në vizitat në vendet e privimit nga liria në shtete të ndryshme dhe problemet që lidhen me ndërprerjen e kujdesit mjekësor gjatë ndalimit policor. Ai theksoi se në shumë raste, në vend se të ofrohet ndihmë mjekësore, personat me probleme të shëndetit mendor prangosen.
"Nëse njerëzit në ndalim policor shfaqin shenja të problemeve mendore: oficerët policorë duhet të jenë paraprakisht të trajnuar se si të reagojnë dhe të udhëzuar për të kërkuar asistencë medikale për personat e ndaluar, kjo nga eksperienca jonë mungon shumë shpesh", theksoi Hnatik.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), përqindja e të burgosurve që vuajnë nga çrregullime mendore është shumë më e lartë se në popullatën e lirë.