BALLKANI

Kosovë, rreth 21 mijë familje me asistencë sociale do të subvencionohen për blerjen e lëndëve djegëse

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se qeveria ka ndarë 5 milionë euro për subvencione për blerjen e lëndëve djegëse për ngrohje për familjet me asistencë sociale

Agim Sulaj  | 06.12.2023 - Përdıtësım : 07.12.2023
Kosovë, rreth 21 mijë familje me asistencë sociale do të subvencionohen për blerjen e lëndëve djegëse Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Qeveria e Kosovës ka prezantuar një masë të re e cila synon zbutjen e ndikimit të menjëhershëm socio-ekonomik të krizës energjetike përmes mbështetjes shtesë për blerjen e lëndëve djegëse për ngrohje gjatë dimrit për familjet përfituese të asistencës sociale, raporton Anadolu.

Masat e reja u prezantuan në një konferencë në Qeveri, ku morën pjesë drejtorë komunalë të Qendrave për Punë Sociale nga e gjithë Kosova.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se qeveria ka ndarë 5 milionë euro për subvencione për blerjen e lëndëve djegëse për ngrohje për familjet me asistencë sociale, me qëllim që ta kalojnë dimrin sa më lehtë. Ai shtoi se kjo masë do të zbatohet së bashku me Bashkimin Evropian në kuadër të pakos mbështetëse të BE-së prej 75 milionë euro për energji.

"Qytetarët tanë e dinë që përballë vështirësive të kohës, ata asnjëherë nuk do të jenë vetëm ose të vetmuar. Jemi dhe do të mbetemi qeveri që udhëheqë dhe që mbështetë, që prinë dhe që nuk e lë askënd prapa", theksoi Kurti.

Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se për këtë subvencion nuk kërkohet regjistrim, pasi familjet që përfitojnë ndihmë sociale tashmë janë të regjistruara dhe paratë do të derdhen direkt në llogaritë e tyre bankare.

Murati tha se aktualisht në Kosovë ndihmë sociale marrin rreth 21 mijë familje me 81 mijë anëtarë.

"Për secilën familje, përfitimi është 120 euro që është ekuivalent me dy metër kub aktualisht me çmimin e tregut. Ndërkaq, për çdo anëtar të familjes, pra duke filluar edhe nga kryefamiljari është edhe 30 euro shtesë", theksoi Murati.

Shefi i departamentit të bashkëpunimit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Johannes Madsen Stenbaek ka rikujtuar se BE-ja ka ndarë një paketë prej 75 milionë eurosh për t'i ndihmuar qytetarët e Kosovës për të kapërcyer krizën energjetike.

Ai shtoi se me këto mjete janë financuar një sërë masash të ndryshme, si subvencione për qytetarët që kursejnë energjinë elektrike, për izolimin e shtëpive, blerjen e pajisjeve efiçiente për ngrohje, e të tjera.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.