Kosovë, rinumërohen mbi 67 për qind të vendvotimeve
"Nga fillimi i këtij procesi më 13 janar 2026 dhe deri më tani më 26 janar 2026 janë rinumëruar rreth 67 për qind apo 1.729 nga 2.557 vendvotime", bëri të ditur KQZ-ja
Prishtinë
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i rinumërimit të të gjitha vendvotimeve në Republikën e Kosovës të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, raporton Anadolu.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se deri të hënën janë numëruar mbi 67 për qind apo 1.729 nga 2.557 vendvotime.
"Nga fillimi i këtij procesi më 13 janar 2026 dhe deri më tani më 26 janar 2026 janë rinumëruar rreth 67 për qind apo 1.729 nga 2.557 vendvotime", bëri të ditur KQZ-ja.
KQZ-ja mori vendim për rinumërimin e të gjitha qendrave të votimit me një vendim të brendshëm të saj, për shkak të parregullësive të shumta që gjetën në disa qendra të votimeve, me theks të veçantë në Komunën e Prizrenit, ku kishte mospërputhje të mëdha tek votat e kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Sipas një raporti të KQZ-së, nga vendvotimet e rinumëruara në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, rezultoi se pas rinumërimit të disa nga vendvotimeve, janë zbritur dhe shtuar nga rezultati mijëra vota për kandidatë.
Për shkak të keqpërdorimeve, KQZ në fillim të javës së kaluar mori vendim edhe për për shkarkimin e përfaqësueseve të subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Komunën e Prizrenit.
Gjatë fundjavës, Prokuroria Themelore në Prizren në bashkëpunim me Policinë e Kosovës arrestuan 109 persona të dyshuar për manipulim me vota ndërsa për 23 prej tyre është marrë vendim që të mbahen për një muaj paraburgim.
Ata dyshohen për veprat penale "Falsifikimi i rezultateve të votimit" dhe "Dhënia ose marrja e ryshfetit të lidhje me votimin".
