BALLKANI

Kosovë, qytetarët serbë dorëzojnë kërkesë për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut

“Kërkesa e tyre është pranuar pasi është bërë sipas Udhëzimit Administrativ”, ka thënë kryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Nexhat Uglanin

Agim Sulaj  | 07.12.2023 - Përdıtësım : 08.12.2023
Kosovë, qytetarët serbë dorëzojnë kërkesë për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut

Prishtinë

Një grup serbësh lokalë kanë dorëzuar kërkesë për inicimin e largimit të kryetarit të komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, raporton Anadolu.

Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës Veriore, Nexhat Uglanin, ka konfirmuar për Anadolu se ka pranuar kërkesën për shkarkimin e kryetarit Erden Atiq, e cila, sipas tij, është në përputhje me Udhëzimin Administrativ të Qeverisë për inicimin e peticionit për shkarkimin e kryetarit të komunës.

“Kërkesa e tyre është pranuar pasi është bërë sipas Udhëzimit Administrativ. Tani unë këtë kërkesë do t'ia dërgoj Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe kryetarit të komunës, siç e kërkon Udhëzimi Administrativ”, thotë Uglanin.

Uglanin, megjithatë, bën të ditur se ka pesë ditë kohë për t'iu përgjigjur kërkesës për inicimin e peticionit për largimin e kryetarit Atiq, por shton se kjo kërkesë mund të refuzohet dhe kthehet nga fillimi përsëri.

“Arsye për shkarkimin e kryetarit mund të jetë vetëm shpjegimi se zgjedhjet nuk kanë qenë demokratike për shkak të mospjesëmarrjes së serbëve dhe se kryetari është zgjedhur me numër të vogël të votuesve, por, nuk mund të jetë me shpjegimin se komuna nuk funksionon dhe nuk ofron shërbime për qytetarët”, thotë Uglanin.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, të mërkurën shkroi se kërkesa nga qytetarët serbë nuk i ishte drejtuar zyrtarisht kryesuesit të Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut, prandaj edhe u refuzua.

Ai tha se në Zubin-Potok, Leposaviq e Zveçan, nuk ka pasur asnjë kërkesë zyrtare drejtuar kuvendeve komunale përkatëse.

“Inicimi i kërkesës niset nga së paku tre qytetarë me të drejtë vote në atë komunë; Qytetarët e interesuar duhet të themelojnë një grup nismëtar; Grupi nismëtar njofton zyrtarisht Kryesuesin e kuvendit komunal. Brenda pesë ditëve atyre duhet t’u kthehet përgjigje; Pas pranimit të kërkesës, Kryesuesi i Kuvendit Komunal njofton kryetarin e komunës përkatëse, MAPL-në dhe KQZ-në; Ndërsa institucionet komunikojnë zyrtarisht mes tyre për të krijuar kushtet që ua mundëson qytetarëve këtë nismë”, shkroi Krasniqi, duke shtuar se kërkesa e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni duhet të nënshkruhet nga të paktën 20 për qind e votuesve.

Kryetarët shqiptarë të katër komunave veriore me shumicë të popullatës serbe, të cilët u zgjodhën me vota në zgjedhjet lokale të prillit 2023, u vendosën në objektet komunale nga fundi i majit, hap që nxiti kundërshtim dhe protesta të serbëve lokalë.

Institucionet e Kosovës janë deklaruar kundër kërkesave për dorëheqje të kryetarëve në katër komunat në veri të Kosovës dhe kanë thënë se zgjedhjet në këto komuna do të mund të mbahen vetëm pas organizmit të një peticioni me të cilin kryetarët do të mund të largoheshin nga detyra.

Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, muaj më parë ka thënë se çfarëdo kërkese tjetër për largimin e kryetarëve në veri, përveç me peticion, është kërkesë e Serbisë dhe si e tillë nuk do të adresohet.

Ligji për Vetëqeverisje Lokale në Kosovë specifikon se në zgjedhje të parakohshme për kryetar të komunës mund të shkohet në rast se kryetari aktual jep dorëheqje; në rast se qytetarët kërkojnë shkarkimin e kryetarit të komunës përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e votuesve të komunës përkatëse; apo në rast se kryetari i komunës nuk paraqitet në vendin e punës më shumë se një muaj, pa arsye.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.