BALLKANI

Kosovë, qeveria miraton sanksione për 7 individë dhe një kompani të lidhur me organizatën “Hezbollah”

Ministrja Donika Gërvalla-Schwarz në mbledhjen e sotme të qeverisë tha se propozimi bazohet në lidhjet e këtyre individëve dhe kompanisë në fjalë me organizatën Hezbollah dhe rolin e tyre në rrjetin financiar të saj në Gadishullin Arabik

Agim Sulaj  | 27.10.2021 - Përdıtësım : 28.10.2021
Kosovë, qeveria miraton sanksione për 7 individë dhe një kompani të lidhur me organizatën “Hezbollah”

Prishtinë

Qeveria e Kosovës ka miratuar sanksionet ndërkombëtare në përputhje me rezolutën 1373 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) ndaj shtatë individëve dhe kompanisë "AIDar Properties" të lidhur me organizatën terroriste "Hezbollah", transmeton Anadolu Agency (AA).

Vendimi për miratimin e sanksioneve u propozua nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, respektivisht nga ministrja Donika Gërvalla-Schwarz, e cila në mbledhjen e sotme të qeverisë tha se propozimi bazohet në lidhjet e këtyre individëve dhe kompanisë në fjalë me organizatën Hezbollah dhe rolin e tyre në rrjetin financiar të saj në Gadishullin Arabik.

Gërvalla-Schwarz tha se këto masa ndaj tyre demonstrojnë angazhimin e Kosovës si pjesë aktive e aleancave ndërkombëtare në luftimin e terrorizmit dhe të gjitha formave të ekstremizmit të dhunshëm.

“Me qëllim të promovimit dhe mbrojtjes së paqes, demokracisë dhe të drejtave dhe lirive të njeriut, marrja e një vendimi të tillë do të kontribuonte në partneritetin e ngushtë me SHBA-në dhe partner të tjerë të rëndësishëm të vendit në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta të paqes dhe lirisë”, tha ajo.

Më tej, ajo theksoi se ky vendim synon parandalimin dhe financimin e akteve terroriste dhe ngrirjen e pasurive financiare të terroristëve dhe mbështetësve të tyre.

Më 29 shtator të këtij viti, SHBA, nëpërmjet Departamentit të Thesarit të Zyrës së Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC), si dhe në bashkëpunim me qeverinë e Katarit u përcaktuan në veprime të koordinuara ndaj një rrjeti të madh financiar të organizatës Hezbollah me bazë në Gadishullin Arabik.

SHBA e përcaktoi Hezbollah-un si organizatë të huaj terroriste më 8 tetor të vitit 1997 dhe si organizatë terroriste globale më 31 tetor 2001, ndërsa Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit e përcaktoi si organizatë terroriste më 2 mars 2016.

"AlDar Properties" është kompani me bazë në shtetin e Katarit, e angazhuar në menaxhimin e pronave rezidenciale dhe komerciale familjare, por kjo kompani nuk është e lidhur me kompaninë e pasurive të paluajtshme "Aldar Properties PJSC" me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para votimit të këtij vendimi në qeveri, tha se Kosova është e angazhuar drejtpërdrejtë në luftën kundër terrorizmit, radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm përmes afirmimit ligjor, qasjes strategjike, veprimeve ekzekutive dhe pjesëmarrjes aktive në koalicionin global.

Më 23 qershor të vitit 2020, edhe qeveria e Kosovës shpalli krahun politik dhe ushtarak të Hezbollah-ut si organizatë terroriste.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.