Kosovë, PZAP-ja certifikon kandidatët për deputetë nga Lista Serbe
PZAP në vendimin e publikuar të shtunën ka thënë se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për mos certifikimin e kandidatëve në mbledhjen e 10 dhjetorit 2025 është i mangët
Prishtinë
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka marrë vendim për pranimin e ankesës së Listës Serbe, duke i certifikuar kandidatët për deputetë nga kjo parti për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë, raporton Anadolu.
PZAP në vendimin e publikuar ka thënë se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për mos certifikimin e kandidatëve në mbledhjen e 10 dhjetorit është i mangët, jo i plotë dhe nuk i trajton çështjet dhe faktet vendimtare që lidhen me vlerësimin e kushteve ligjore për certifikimin e subjektit politik.
“Në mungesë të një arsyetimi të mirëfilltë ligjor konkludohet se vendimi i tillë nuk mund të qëndrojë juridikisht pasi që nuk përmban as vlerësimin e duhur të fakteve në raport me dispozitat ligjore të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe me Rregulloren e Certifikimit të subjekteve politike”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
PZAP-ja vlerësoi tutje se Lista Serbe ka respektuar të gjitha afatet për regjistrimin e kandidatëve dhe ka marrë rekomandim pozitiv nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar, “prandaj e ka aprovuar ankesën”.
Anëtarët e KQZ-së nuk i kishin dhënë mbështetje Listës Serbe të certifikohej as si parti, por PZAP-ja e kishte kthyer vendimin në të mirë të kësaj partie.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
