BALLKANI

Kosovë, Prokuroria konfirmon keqpërdorimet gjatë numërimit të votave

Kur procesi i rinumërimit të votave është bërë në më shumë se gjysmën e 914 vendvotimeve, Prokuroria thekson se “janë evidentuar keqpërdorime të dukshme të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit”.

Agim Sulaj  | 18.01.2026 - Përdıtësım : 18.01.2026
Kosovë, Prokuroria konfirmon keqpërdorimet gjatë numërimit të votave

Prishtinë

Prokuroria Themelore në Prizren, e cila si institucion i Prokurorit të Shtetit, ka monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore, ka konfirmuar keqpërdorimet brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit, komunën e dytë më të madhe në Kosovë, transmeton Anadolu.

Në një njoftim për media, kur procesi i rinumërimit të votave është bërë në më shumë se gjysmën e 914 vendvotimeve, Prokuroria thekson se “janë evidentuar keqpërdorime të dukshme të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit”.

“Në këtë drejtim, sot, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, me vetiniciative ka lëshuar autorizim me shkrim për Policinë e Kosovës që të identifikojnë personat përgjegjës, të sigurojnë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet. Manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore janë krim dhe do të ndëshkohen pa kompromis”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon numërimi i fletvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim që ato të rinumërohen.

Nga fillimi i këtij procesi më 13 janar 2026 deri më 18 janar 2026 janë rinumëruar rreth 56 për qind apo 509 nga 914 vendvotime, të cilat u takojnë më shumë se 20 komunave të ndryshme, përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Pejën dhe komuna tjera më të vogla.

KQZ-ja mori vendim për rinumërim të votave në këto komuna pasi verifikoi se ka raste të mospërputhjeve të votave për kandidatë për deputetë në Kuvendin e Kosovës.

“Rezulton se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyrojnë numrin e votave të kandidatëve të evidentuara në fletëvotime”, thuhet në raportin e KQZ-së.

Vonesat me rinumërimin e votave nga KQZ-ja e vonojnë procesin e certifikimit të rezultatit zgjedhor që parashihej të bëhej më së largu më 19 janar dhe rrjedhimisht formimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.