Kosovë, procesi i rinumerimit të votave po shkon drejt përfundimit
Nga gjithsej 38 komuna sa ka Kosova, procesi i rinumërimit ka përfunduar tashmë në 30 komuna dhe procesi i rinumërimit po vazhdon sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen
Prishtinë
Procesi i rinumërimit të votave të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025 po shkon drejt përfundimit, raporton Anadolu.
Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), kanë bërë të ditur se deri më tani janë rinumëruar mbi 80 për qind e të gjitha vendvotimeve ku qytetarët shfrytëzuan të drejtën e votës për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës.
Sipas të dhënave nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), nga gjithsej 2.557 vendvotime, deri të mërkurën janë numëruar 2.061 vendvotime.
Nga gjithsej 38 komuna sa ka Kosova, procesi i rinumërimit ka përfunduar tashmë në 30 komuna dhe procesi i rinumërimit po vazhdon sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.
Komunat ku do të vazhdohet me procesin e rinumërimit deri në përmbylljen e plotë janë: Prishtina, Mitrovica e Jugut, Obiliqi, Rahoveci, Peja, Podujeva, Shtimja dhe Shtërpca.
KQZ-ja mori vendim për rinumërimin e të gjitha qendrave të votimit me një vendim të brendshëm të saj, për shkak të parregullsive të shumta që gjetën në disa qendra të votimeve, me theks të veçantë në Komunën e Prizrenit, ku kishte mospërputhje të mëdha tek votat e kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Sipas një raporti të KQZ-së, nga vendvotimet e rinumëruara në QNR, rezultoi se pas rinumërimit të disa nga vendvotimeve, janë zbritur dhe shtuar nga rezultati mijëra vota për kandidatë.
Për shkak të keqpërdorimeve, KQZ në fillim të javës së kaluar mori vendim edhe për shkarkimin e përfaqësueseve të subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Komunën e Prizrenit.
Gjatë fundjavës, Prokuroria Themelore në Prizren në bashkëpunim me Policinë e Kosovës arrestuan 109 persona të dyshuar për manipulim me vota ndërsa për 23 prej tyre është marrë vendim që të mbahen për një muaj paraburgim.
Ata dyshohen për veprat penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” dhe “Dhënia ose marrja e ryshfetit të lidhje me votimin”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
