BALLKANI

Kosovë, prezantohet metodologjia për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve ekonomike gjatë luftës

"Lufta në Kosovë ishte projekt i shkatërrimit e i asgjësimit, i plaçkitjes e i rrëmbimit nga ana e forcave të Serbisë, me krime të organizuara e të planifikuara", tha Kurti

Agim Sulaj  | 27.08.2025 - Përdıtësım : 27.08.2025
Kosovë, prezantohet metodologjia për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve ekonomike gjatë luftës Foto: Agim Sulaj / AA

Prishtinë

Në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës (IKKL), është prezantuar metodologjia për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve ekonomike të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, 1998-1999, raporton Anadolu.

Në një tryezë të mbajtur në Qeverinë e Kosovës, ku mori pjesë edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, u mblodhën përfaqësues të institutit dhe përfaqësues të organizatave që merren me pasojat e luftës në Kosovë.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe drejtori ekzekutiv i IKKL-së, Atdhe Hetemi, e cilësuan këtë hap si një arritje të rëndësishme për drejtësi dhe kujtesën kolektive. Kurti tha se ky proces, përtej të qenit detyrë institucionale, është obligim moral ndaj viktimave dhe obligim kombëtar për Republikën tonë.

"Lufta në Kosovë ishte projekt i shkatërrimit e i asgjësimit, i plaçkitjes e i rrëmbimit nga ana e forcave të Serbisë, me krime të organizuara e të planifikuara. Andaj, dokumentimi i këtyre është jetik", theksoi Kurti.

Ai tha se Serbia krahas dëmeve në jetët e njerëzve me gjenocidin në Kosovë, ka shkaktuar edhe dëme të pallogaritshme ekonomike, përfshirë djegien e pronave private dhe publike, rrënimin e infrastrukturës, shkatërrimin e objekteve kulturore e arsimore, grabitjen dhe shkatërrimin e trashëgimisë shpirtërore dhe kombëtare.

Kurti tha se deri më tani ky institut ka grumbulluar mbi 345 metra linearë material fizik dhe 23.6 terabajt materiale digjitale të cilat tashmë ruhen në arkivat e këtij instituti. Me aneksin e metodologjisë për dokumentim e krimeve ekonomike, Kurti tha se puna përfundimtare do të jetë më e saktë dhe e unifikuar.

Drejtori ekzekutiv i IKKL-së, Atdhe Hetemi tha se instituti tashmë ka një rrjet të gjerë rajonal për mbledhjen dhe ruajtjen e materialeve mbi krimet e luftës.

"IKKL ka zyrën në Prishtinë dhe gjashtë zyra rajonale në gjithë vendin. Kemi krijuar një rrjet shtetëror për mbledhjen, verifikimin dhe ruajtjen e materialeve mbi krimet e luftës bazë kjo e domosdoshme për drejtësi dhe kujtesë", tha Hetemi.

Ai tha se arkivi përmban materiale fizike dhe digjitale të mbledhura nga 11 shtete të ndryshme falë besimit të ndërtuar me partnerët institucionalë, familjarë të viktimave dhe vetë viktima të mbijetuara nga lufta.

Organizatat ndërkombëtare e kanë vlerësuar si shumë të lartë shkallën e shkatërrimit të pronave private dhe publike nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovës, përfshirë edhe shkatërrimin e shkollave dhe xhamive.

Në një sondazh të Zyrës së Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), pothuajse 40 për qind e të gjitha shtëpive të banimit në Kosovë ishin dëmtuar rëndë ose ishin shkatërruar plotësisht.

Ndërkaq, në një raport të shtatorit të vitit 1999, të përpiluar prej Komitetit për Çështje Ekonomike dhe Zhvillim të Këshillit të Evropës, përmendet se organizatat aktive të kohës në Kosovë vlerësonin se mbi 120 mijë objekte banimi ishin bërë të pabanueshme.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.