BALLKANI

Kosovë, peticion kundër deponisë së hirit të KEK-ut në Obiliq

Iniciatori i këtij peticioni kundër deponisë së hirit, aktivist i shoqërisë civile, Avdyl Gashi tha se këtë peticion e kanë ngritur për shkak se rreziku ndaj jetës së qytetarëve por edhe ndaj ambientit nga kjo deponi është shumë i madh

Agim Sulaj  | 27.05.2020 - Përdıtësım : 28.05.2020
Kosovë, peticion kundër deponisë së hirit të KEK-ut në Obiliq

Prishtinë

Nënshkrimet e 32 organizatave joqeveritare janë dorëzuar sot në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit me kërkesë për të ndërmarrë veprime ndaj deponisë së hirit të Koorporatës Energjetike të Kosovës (KEK) e cila ndodhet në Obiliq, rreth 12 kilometra nga Prishtina, raporton Anadolu Agency (AA).

Iniciativa e këtyre organizatave vjen pasi qytetarë të shumtë javëve të fundit kanë shpërndarë fotografi në rrjetet sociale duke vizituar nga afër këtë deponi të hirit, apo të njohur tashmë si “Liqeni i Maldiveve”, për shkak të ngjyrës së kaltër që ka marrë uji nga lënda e hirit të KEK-ut.

Iniciatori i këtij peticioni kundër deponisë së hirit, aktivist i shoqërisë civile, Avdyl Gashi tha se këtë peticion e kanë ngritur për shkak se rreziku ndaj jetës së qytetarëve por edhe ndaj ambientit nga kjo deponi është shumë i madh.

Siç tha ai, hulumtimet ndërkombëtare tregojnë se niveli kimik që ndodhet në këtë “liqe” përbën rrezik nëse kontaktohet drejtpërdrejt nga njeriu.

“Hulumtimet e shumta ndërkombëtare që janë realizuar kanë vërtetuar që aty PH-ja (aciditeti dhe baziteti) në këtë ‘liqe’ është në nivelin 12, që është pothuajse sikur tek një detergjent dhe përkundër kësaj situate as Ministria e Mjedisit, as Koorporata Energjetike e Kosovës nuk ka marrë ndonjë masë, ndërsa për fat të keq raportime të tilla për këtë ‘liqe’ ka pasur edhe në vitin 2017 mirëpo Ministria as KEK-u nuk ka marrë veprime as bazike për qytetarët për rrezikun që u kanoset qytetarëve nëse bien në kontakt me të ose afrohen”, tha Gashi.

Në këtë kontekst, Gashi tha se kërkesat që kanë ngritur si organizata joqeveritare janë mjaft të rëndësishme, njëra ndër to është që “të vendosen masa mbrojtëse që të pengohet kontakti i qytetarëve me këtë ‘liqe’; pikë tjetër është që ky ‘liqe’ të ngjyroset me ngjyrë të zezë e cila do t’ia ulte njëfarë forme atraktivitetin për njerëzit dhe çështja e tretë është që të vendosen shenjat e rrezikut”.

Ekologja Egzona Shala tha se njëra nga alternativat për ta zgjidhur çështjen e deponisë së hirit të KEK-ut janë impiantet e brendshme të cilat jo domosdosmërisht kalojnë në hapësirën e tokës.

“Në rast se krijohen impiantet organike atëherë përmes avullimit largohen të gjitha mbetjet organike që liron KEK-u. Me anë të kombinimit me ujë dhe me anë të metodës së avullimit ato përsëri rikthehen si mbetje të ngurta, pastaj ato mbetje mund të lokalizohen shumë lehtë dhe mund të asgjësohen nëpër deponi të ndryshme”, tha Shala e cila shtoi se një gjë e tillë do të duhej të bëhej me standarde evropiane dhe duke ndjekur modelin evropian të termocentraleve evropiane.

Si shqetësim përpos kontaktit të drejtpërdrejt të qytetarëve me këtë deponi, u ngrit nga përfaqësuesit e OJQ-ve edhe afërsia e kësaj deponie me lumin Sitnica, “që nënkupton infektimin e ujërave nëntokësorë dhe helmimin e tokës përreth”.

Ata kërkuan edhe themelimin e një komisioni të përbërë nga ekspertë inxhinierë, kimistë, biologë, ambientalistë që të analizohet rreziku dhe të propozohet një zgjidhje afatgjate për këtë ‘liqe’, ndërsa ky proces të ndodhë me monitorimin e shoqërisë civile nga afër.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın