BALLKANI

Kosovë, paneli zgjedhor për ankesa urdhëron certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale

Vendimi i KQZ-së nuk ka qenë i bazuar në mënyrë të duhur në ligj dhe nuk është dëshmuar bindshëm që kandidatët në fjalë janë në kundërshtim me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili përcakton kriteret për të drejtën për t’u zgjedhur

Agim Sulaj  | 24.08.2025 - Përdıtësım : 24.08.2025
Kosovë, paneli zgjedhor për ankesa urdhëron certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale

Prishtinë

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka marrë vendim në favor të subjektit politik Lista Serbe, duke aprovuar ankesën e këtij subjekti kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për mos certifikimin e listës së kandidatëve të saj për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025 në Kosovë, transmeton Anadolu.

PZAP, sipas mediave lokale, ka anuluar vendimin e KQZ-së të datës 21 gusht, në të cilin KQZ kishte refuzuar certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe.

Sipas arsyetimit të PZAP, vendimi i KQZ-së nuk ka qenë i bazuar në mënyrë të duhur në ligj dhe nuk është dëshmuar bindshëm që kandidatët në fjalë janë në kundërshtim me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili përcakton kriteret për të drejtën për t’u zgjedhur.

PZAP i ka kërkuar KQZ-së që të bëjë certifikimin e listës së kandidatëve të Listës Serbe për komunat ku ka aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale.

Më 21 gusht, pro certifikimit të Listës Serbe votuan kryetari Kreshnik Radoniqi dhe përfaqësuesja e Listës Serbe.

Dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër, ndërsa abstenimet ishin nga përfaqësuesit e partive të tjera.

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi e Alban Krasniqi, kundërshtuan certifikimin e kësaj partie duke publikuar dokumente që tregonin se kandidatë të Listës Serbe për kryetarë komunash apo asamblistë, mbajnë pozicione në organet paralele të Serbisë në Kosovë.

Pas një takimi këtë javë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, shprehu shqetësim për tendencat me qëllimin që partive serbe t’u ndalohet pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Vitin e kaluar, Kurti deklaroi se Lista Serbe është pengesa më e madhe e integrimit të serbëve në Kosovë. Ai tha se për aq kohë sa Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe i akuzuar për terrorizëm, nuk dorëzohet tek autoritet kosovare, Lista Serbe do të jetë krahu i Milan Radoiçiqit.

Lëvizja Vetëvendosje luftoi kundër certifikimit të Listës Serbe edhe për zgjedhjet parlamentare të shkurtit dhe KQZ-ja nuk e certifikoi atë fillimisht. Megjithatë, pas ankesave në instanca më të larta, Lista Serbe u certifikua dhe mori pjesë në zgjedhje, duke i fituar nëntë ulëse në Kuvend.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.