Kosovë, në vitin 2025 janë regjistruar 31 raste të reja me HIV/AIDS
Doktoresha Luljeta Gashi tha se nga viti 1986 deri në vitin 2025 në Kosovë janë regjistruar gjithsej 246 raste me HIV/AIDS
Prishtinë
Vetëm gjatë vitit 2025 në Republikën e Kosovës janë regjistruar 31 raste të reja me HIV/AIDS, raporton Anadolu.
Kjo u bë e ditur në një tryezë me përfaqësues të institucioneve të shëndetësisë në Kosovë, me rastin e 1 Dhjetorit – Ditës Botërore të AIDS-it.
Doktoresha Luljeta Gashi tha se nga viti 1986 deri në vitin 2025 në Kosovë janë regjistruar gjithsej 246 raste me HIV/AIDS ndërsa nga këta 57 kanë vdekur deri tani. "Vetëm gjatë vitit 2025 janë regjistruar 31 raste dhe 6 vdekje si pasojë e HIV/AIDS-it", tha Gashi.
Sa i përket proporcionit gjinor, 82 për qind e qytetarëve të infektuar janë meshkuj ndërsa 18 për qind janë femra. Mosha më e prekur nga HIV/AIDS-i në Kosovë është mosha 25 deri 34 vjet me 35 për qind të rasteve ndërsa grupmosha 33 deri 44 vjet është e dyta me 23 për qind të rasteve të infektimit.
Merita Vuthaj nga Ministria e Shëndetësisë tha se përballja me HIV/AIDS-in është sfidë globale dhe autoritetet kosovare janë të përkushtuara për forcimin e sistemit. Ajo tha se përballë kësaj sëmundje autoritetet kanë tri prioritete kryesore të cilat janë: edukimi për parandalimin e transmetimit të sëmundjes, përmirësimi i kujdesit shëndetësor dhe parandalimi i stigmës.
Drejtoresha e Institutit Kosovar të Shëndetit Publik (IKSHP), Ardita Baraku tha se viti 2025 ka qenë kritik sa i përket përgjigjes globale për HIV/AIDS.
Ajo tha se shumë njerëz po përballen me rreziqe dhe cenueshmëri prandaj nevojitet prioritet në shërbime, derisa shtoi se testimet dhe terapitë për këtë sëmundje janë pa pagesë dhe ndihmojnë të mos ketë pabarazi.
Me 34 raste, viti 2024 ishte viti me numrin më të madh të rasteve të regjistruara në Kosovë me HIV/AIDS.
