Kosovë, në disa vende përmirësohet situata pas vërshimeve ndërsa në disa mbetet e rëndë
Komuna e Malishevës, e cila shpalli gjendje emergjente para dy ditësh, tha se nuk janë evidentuar probleme të reja ndërsa niveli i ujërave ka shënuar rënie dhe situata është në drejtim të stabilizimit të plotë
Prishtinë
Situata pas reshjeve të dendura të shiut ditëve të fundit që shkaktoi vërshime në disa pjesë të Kosovës në disa zona po shkon duke u përmirësuar ndërsa në disa mbetet ende e rëndë, raporton Anadolu.
Komuna e Malishevës, e cila shpalli gjendje emergjente para dy ditësh, ka bërë të ditur se nuk janë evidentuar probleme të reja ndërsa niveli i ujërave ka shënuar rënie dhe situata është në drejtim të stabilizimit të plotë. Edhe në Drenas si një nga komunat më të prekura të pjesës qendrore të Kosovës, gjendja ishte e qetë në 24 orët e fundit dhe rrugët ishin më të qarkullueshme.
Pak kilometra më larg Drenasit, gjendja ka qenë me më shumë potencial për rreziqe të reja në Komunën e Skenderajt. Kryetari i kësaj komune, Sami Lushtaku tha gjatë orëve të mbrëmjes të së mërkurës se po e përcjellin vazhdimisht gjendjen në shtratin e lumit Klina, për të parë nga afër dhe për të monitoruar nivelin e ujit.
"Bashkë me ekipet përgjegjëse komunale, me policinë dhe zjarrfikësit po i ndjekim zhvillimet nga afër, me prioritet sigurinë e qytetarëve dhe marrjen e masave të nevojshme varësisht nga situata", shkroi Lushtaku.
Në rajonin e Prizrenit, ku po ashtu ka pasur dëme materiale në ekonomitë familjare të disa fshatrave të zonës së Hasit, situata është nën kontroll.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka thënë se gjendja po monitorohet vazhdimisht dhe intervenimet po realizohen në kohë reale. "Puna po vazhdon me intensitet të lartë deri në stabilizimin e plotë të situatës, derisa Komuna e Prizrenit i fton qytetarët të qëndrojnë të qetë pasi institucionet janë në krye të detyrës dhe në shërbim të qytetarëve", shkroi Totaj.
Gjatë ditës së djeshme presidentja Vjosa Osmani e vizitoi Komunën e Malishevës dhe atë të Gjakovës pas vërshimeve në këto vende, ku është takuar me kryetarët e këtyre dy komunave, Ardian Gjinin dhe Ekrem Kastratin si dhe disa nga familjet e prekura.
"Këto situata na kujtojnë sa i rëndësishëm është solidariteti dhe bashkëpunimi kur qytetarët përballen me vështirësi sikurse kjo", shkroi Osmani duke falënderuar ekipet e emergjencës si ato lokale dhe qendrore, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, zjarrfikësit dhe policinë, të cilët ishin në krye të detyrës, duke mbrojtur jetët dhe pronat e qytetarëve.
Ajo rikujtoi se Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) janë gjithmonë në gatishmëri për t'u ardhur në ndihmë qytetarëve në raste emergjente.
