Kosovë, numërimi i votave po shkon drejt përfundimit
Nga numërimi i votave me postë të cilat po numërohen aktualisht në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, partia Lëvizja Vetëvendosje po kryeson me 71,63 për qind
Prishtinë
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë numëruar rreth 85 për qind të votave me postë për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025, duke bërë që numërimi total i votave të shkojë drejt përfundimit, raporton Anadolu.
Tashmë në total janë numëruar mbi 96 për qind të votave të përmbledhura dhe pas numërimit të të gjitha votave Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të procedojë gradualisht me certifikimin përfundimtar të rezultateve.
Nga numërimi i votave me postë të cilat po numërohen aktualisht në QNR, partia Lëvizja Vetëvendosje po kryeson me 71,63 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 10,54 për qind dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 9,07 për qind.
Ndërkohë, vëzhgues të procesit zgjedhor vlerësojnë se certifikimi i rezultateve pritet të bëhet në javën e tretë të këtij muaji, përkatësisht deri më 19 janar.
Në rezultatet e përmbledhura, ku përfshihen të gjitha votat, kur janë numëruar 96,12 të kutive të votimit, Vetëvendosja kryeson me 50,55 për qind, pasuar nga PDK-ja me 20,46 për qind dhe LDK-ja me 13,36 për qind.
