BALLKANI

Kosovë, një muaj paraburgim për të dyshuarin e veprës "Krime lufte kundër popullatës civile"

- "Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 31 mars 1999, i pandehuri R.M. ka qenë pjesëmarrës në krimet e kryera në fshatin Burim të Malishevës", thuhet në njoftimin e gjykatës

Agim Sulaj  | 14.08.2025 - Përdıtësım : 14.08.2025
Kosovë, një muaj paraburgim për të dyshuarin e veprës "Krime lufte kundër popullatës civile"

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Gjykata Themelore në Prishtinë aprovoi kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj të pandehurit Ramadan Morina, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale "krime lufte kundër popullatës civile", transmeton Anadolu.

Siç njofton Gjykata Themelore në Prishtinë, gjyqtari i procedurës paraprake, pas seancës dëgjimore vlerësoi se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin Ramadan Morina, pasi ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti në bashkëkryerje ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile.

"Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 31 mars 1999, i pandehuri R.M. ka qenë pjesëmarrës në krimet e kryera në fshatin Burim të Malishevës. Po ashtu dyshohet se në të njëjtën datë, ka marrë pjesë edhe në vrasjen e 34 viktimave të këtij fshati", thuhet në njoftimin e gjykatës.

Gjykata vlerësoi se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë dhe komplekse, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme, për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.

Gjykata konstatoi se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri nëse gjendet në liri, mund të arratiset duke pasur parasysh faktin se ai ka shtetësinë e Serbisë, ka vendbanimin e përhershëm në Serbi, andaj ka gjasa reale se mund të arratiset dhe i njëjti mund të jetë i paarritshëm për fazat tjera të procedurës penale.

Gjykata konstatoi se nëse i pandehuri lihet në liri paraqet rrezik real se i njëjti mund të identifikojë dëshmitarët dhe të ushtroj ndikim tek të njëjtit. Ramadan Morina u arrestua nga autoritetet më 12 gusht në Kosovë.

Masakra në fund të marsit të vitit 1999 ku u vranë dhe masakruan civilët shqiptarë, ndodhi në vendin e quajtur "Vrella e Mëhillit", në Burim të Malishevës. Shumica e viktimave ishin nga fshatrat Dragobil dhe Astrazup si dhe tre banorë të Suharekës, të cilët ishin strehuar në këtë pjesë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.