Kosovë, nis zbatimi i ligjeve për targa dhe dokumente
Zv/drejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani tha se masat prekin kryesisht pjesëtarët e komunitetit serb që kanë përdorur targa të Serbisë ose nuk posedojnë dokumente kosovare
Prishtinë
Nga 16 janari në Kosovë ka nisur zbatimi i Ligjit për komunikacionin dhe Ligjit për të huajt, ku sipas këtyre rregullave, automjetet me targa të huaja nuk lejohen të qarkullojnë më shumë se tre muaj pa autorizim ndërsa personat pa dokumente të Kosovës duhet të aplikojnë për leje qëndrimi brenda 72 orëve, transmeton Anadolu.
Këtë e konfirmoi zëvendës/kryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, i cili tha se në fazën e parë të zbatimit, vizitorët që hyjnë në vendkalimet kufitare do të pajisen me material informues rreth procedurave dhe rregullave specifike, dhe kjo periudhë do të zgjasë deri më datën 15 mars.
"Pas kësaj fillon zbatimi i plotë i procedurave dhe rregullave që parashihen me ligjet e lartëpërmendura", tha Bislimi.
Duke folur për mediat lokale në Kosovë, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani tha se masat prekin kryesisht pjesëtarët e komunitetit serb që kanë përdorur targa të Serbisë ose nuk posedojnë dokumente kosovare.
Ai theksoi se nga 16 janari policia do ta zbatojë ligjin në terren. Ai shtoi se drejtimi i automjeteve mbi bazën e autorizimit do të lejohet vetëm në raste emergjente, por me paralajmërim.
"Për shembull, nëse dikush shkon në spital, nuk do ta ndalojmë dhe nuk do ta konfiskojmë menjëherë automjetin. Por, nëse i njëjti person ndalohet përsëri në ditët në vazhdim, mund t'i shqiptohet gjobë deri në 200 euro", shpjegoi Elshani.
Ndërkohë, masat janë kundërshtuar nga përfaqësues të komunitetit serb dhe nga partia Lista Serbe, e cila ka kërkuar shtyrje të mëtejme dhe gjetje të një zgjidhjeje përmes dialogut.
Reagime kritike ka pasur edhe nga zyrtarë të Qeverisë së Serbisë, të cilët kanë paralajmëruar se zbatimi i plotë mund të ndikojë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë i cilësoi këto masa si "hapa të rinj përshkallëzues", deri sa paralajmëroi se nëse Bashkimi Evropian dhe grupi i Quint-it nuk reagojnë, "Beogradi do të detyrohet të shqyrtojë një përgjigje politike dhe ligjore - adekuate ndaj këtyre shkeljeve drastike të të drejtave themelore të popullit serb përmes masave të reja të njëanshme dhe të dhunshme".
