BALLKANI

Kosovë, ngritet aktakuzë kundër tre grave për pjesëmarrje në grup terrorist

"Me dashje kanë marrë pjesë në veprimtarinë e organizatës terroriste, në atë mënyrë që kanë shkuar në Siri dhe i janë bashkangjitur organizatës terroriste, militante, ekstremiste ISIS (DEASH)”

Agim Sulaj  | 09.12.2019 - Përdıtësım : 10.12.2019
Kosovë, ngritet aktakuzë kundër tre grave për pjesëmarrje në grup terrorist Foto: AA/Arhiv

Prishtinë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër tre personave për veprën penale “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Prokuroria Speciale njofton se aktakuza është ngritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë - Departamenti Special në bazë të nga nenit 143 paragrafit 2 të Kodit Penal të Kosovës.

Sipas njoftimit, tre të pandehurat, shtetase të Kosovës, “me dashje kanë marrë pjesë në veprimtarinë e organizatës terroriste, në atë mënyrë që kanë shkuar në Siri dhe i janë bashkangjitur organizatës terroriste, militante, ekstremiste ISIS (DEASH), duke e përkrahur këtë organizatë dhe veprimtarinë dhe qëllimet e saja”.

Njëra nga të pandehurat, thotë Prokuroria, pas kthimit nga Siria dhe qëndrimit për disa muaj në Kosovë, bashkë me bashkëshortin e saj dhe vajzën e mitur, "është kthyer në Siri më 5 tetor të vitit 2014 përmes pikës kufitare të Hanit të Elezit, ka fluturuar nga Aeroporti i Shkupit drejtë Turqisë dhe më pas është futur në territorin e Sirisë".

Siç thotë Prokuroria Speciale, njëjtë ka vepruar edhe e pandehura e dytë më 4 nëntor të vitit 2014 bashkë me bashkëshortin e saj.

Ndërsa e pandehura e tretë, e cila sipas Prokurorisë është nëna e dy të pandehurave të para, në Siri ka shkuar më 21 shtator të vitit 2015 bashkë me dy djemtë e saj përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, drejt Turqisë e më pas në Siri “ku, secila veç e veç, duke e përdorur shumën e rregullt mujore të të hollave nga Shteti Islamik, iu kanë ofruar shërbime logjistike anëtarëve meshkuj të familjes të cilët aktivisht kanë luftuar dhe gjithë kohën duke e ndërruar vendbanimin varësisht nga ndryshimi i territorit të Shtetit Islamik”.

Një gjë e tillë Prokuroria thotë se ka ndodhur deri sa DEASH e ka pësuar disfatën e plotë dhe më pas janë deportuar në Kosovë më 24 maj 2019.

Në prill të këtij viti, 110 shtetas të Kosovës, kryesisht gra e fëmijë të cilët po qëndronin në Siri, janë kthyer në vendlindje. 

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se kthimi i tyre ka qenë plan i koordinuar me SHBA-të dhe shtetet pjesëmarrëse në aleancën kundër terrorizmit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.