Kosovë, ngrihet aktakuzë në mungesë ndaj dy personave të dyshuar për krime lufte
Prokuroria Speciale ka ngritur muajt e fundit disa akuza për krime, të cilat janë kryer nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë

Prishtinë
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë për krime lufte ndaj dy personave me inicialet L.D. dhe V.O., transmeton Anadolu.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit akuzohen, se gjatë periudhës 1998-1999 në Gjakovë, duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, kanë shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, duke marrë pjesë në vrasje, keqtrajtime, arrestime, vjedhje dhe shkatërrime të pasurisë të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.
Sipas aktakuzës, më 25 dhe 26 mars 1999, në rrugën "Tahir Efendiu", gjatë një aksioni të forcave policore serbe, ku morën pjesë edhe të pandehurit në cilësinë e zyrtarëve policorë, është vrarë një civil dhe janë keqtrajtuar gjashtë civilë të nacionalitetit shqiptar.
"Ekziston dyshimi i bazuar mirë se, të pandehurit, në bashkëkryerje, kishin rrethuar shtëpinë e të dëmtuarit N.K., ku ndodheshin N.K., M.M., S.G., B.G., B.Sh., A.C., dhe Q. Sh., të cilët janë keqtrajtuar fizikisht dhe psikikisht, i kishin detyruar të ngarkojnë në kamionetën e policisë të gjitha materialet e ndihmës që ndodheshin në objektin e shoqatës humanitare 'Nënë Tereza' dhe më pas janë futur me dhunë në një kamion dhe janë dërguar në stacionin policor të Gjakovës", thuhet në njoftim.
Prokuroria bën të ditur se në stacionin policor, të dëmtuarit janë ndarë nëpër qeli të ndryshme, ku kanë qëndruar për 24 orë pa ushqim, pa ujë dhe pa ndihmë mjekësore, duke u rrahur dhe maltretuar vazhdimisht nga ana e të pandehurve dhe pjesëtarëve të tjerë të policisë serbe me shufra gome, shqelma dhe grushte.
"I arrestuari M.M., në ditën kur është nxjerrë nga qelia, më 26 mars 1999 , ishte gjetur i vrarë në afërsi të urës së Taliqit në Gjakovë", përfundon njoftimin Prokuroria.
Prokuroria Speciale ka ngritur muajt e fundit disa akuza për krime, të cilat janë kryer nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.