BALLKANI

Kosovë, nga dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit në Malishevë ndalohen 15 kryesues

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, 15 kryesuesit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokuroria ka parashtruar kërkesë në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre

Agim Sulaj  | 28.01.2026 - Përdıtësım : 28.01.2026
Kosovë, nga dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit në Malishevë ndalohen 15 kryesues

Prishtinë

Prokuroria Themelore në Gjakovë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zhvilluar veprime hetimore lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave brenda subjekteve politike për zgjedhjet e 28 dhjetorit, në Komunën e Malishevës, transmeton Anadolu.

Sipas njoftimit nga Prokuroria, në kuadër të hetimeve janë intervistuar gjithsej 58 persona, përfshirë 15 kryesues dhe 43 komisionerë të qendrave të numërimit.

Të gjithë të dyshuarit ngarkohen për veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, 15 kryesuesit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokuroria ka parashtruar kërkesë në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.

Ndërkohë, 43 komisionerët e tjerë, pas intervistimit dhe grumbullimit të provave relevante, do të hetohen në procedurë të rregullt, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe në trajtimin me prioritet të veprave penale që cenojnë votën e lirë dhe demokratike të qytetarëve.

Rinumërimi i votave në Malishevë, i cili ka përfunduar tashmë, tregon një dallim në votat për kandidatët për deputetë.

Përveç Prizrenit dhe Malishevës, ku tashmë janë zhvilluar operacione, autoritetet janë duke kryer hetime edhe në Ferizaj dhe Drenas.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın