Kosovë, ndërron jetë ish-kryeparlamentari Nexhat Daci në moshën 81-vjeçare
Ai ka shërbyer si deputet i Kuvendit të Kosovës në periudhën 2001–2011 dhe si kryetar i Kuvendit nga viti 2001 deri në vitin 2006
Prishtinë
Ish-kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, akademiku Nexhat Daci ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare, transmeton Anadolu.
Daci ishte kimist, profesor universitar dhe akademik i shquar.
Ai ka shërbyer si deputet i Kuvendit të Kosovës në periudhën 2001–2011 dhe si kryetar i Kuvendit nga viti 2001 deri në vitin 2006.
Gjithashtu, Daci ka udhëhequr Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) dhe ka qenë aktiv në jetën politike dhe institucionale të vendit, përfshirë themelimin e Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD) në vitin 2007.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Nexhat Dacit, duke vlerësuar kontributin e tij në ndërtimin e institucioneve shtetërore dhe në zhvillimin e arsimit dhe shkencës.
Osmani theksoi se Daci, veçanërisht gjatë viteve '90, ishte i angazhuar fuqishëm për kauzën e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës si bashkëpunëtor i afërt i presidentit historik Ibrahim Rugova.
"Kontributi i tij shumëdimensional në ndërtimin e shtetit dhe në avancimin e dijes do të mbetet pjesë e rëndësishme e historisë sonë institucionale dhe intelektuale", thuhet në mesazhin e Osmanit.
Edhe kryetari i Kuvendit në legjislaturën e nëntë, Dimal Basha çmoi lart kontributin e Dacit në ndërtimin e institucioneve.
"Me vizion, maturi dhe përkushtim, Daci kontribuoi në ndërtimin e institucioneve demokratike, në forcimin e Kuvendit si zë i qytetarëve dhe në avancimin e proceseve politike në prag të shtetësisë së Kosovës", shkroi Basha.
Nexhat Daci u lind më 26 korrik në Tërnoc më 1944, ku përfundoi shkollimin fillor. Atë të mesëm e kreu në Leskoc, ndërkaq studimet universitare i përfundoi në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore (Dega e Kimisë) në Beograd më 1966. Doktoroi më 1973 në Universitetin e Zagrebit ndërkaq studimet e posdoktoratës i vazhdoi në Angli, në Universitetin e Bradfordit më 1974.
Pas përfundimit të magjistraturës, më 1968 Daci nisi punën si asistent në Fakultetin Filozofisë në Katedrën e Kimisë. Më 1971 vazhdoi punën si ligjërues e më pas edhe si profesor në Universitetin e Prishtinës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
