BALLKANI

Kosovë, mbyllet Forumi ndërkombëtar për gratë, paqen dhe sigurinë

Presidentja Osmani përshëndeti fëmijët pjesëmarrës në një panel të improvizuar ku ata i bënë pyetje presidentes. Ajo tha se Kosova ka përjetuar tmerre të mëdha në luftë dhe ka humbur edhe fëmijë gjatë luftës

Agim Sulaj  | 03.06.2025 - Përdıtësım : 04.06.2025
Kosovë, mbyllet Forumi ndërkombëtar për gratë, paqen dhe sigurinë

Kosova

Është mbyllur në Kosovë Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë organizuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, raporton Anadolu.

Sesioni përmbyllës i forumit iu kushtua fëmijëve. Rreth 500 fëmijë u bënë pjesë e sesionit përmbyllës në një takim që patën me presidenten Vjosa Osmani. Presidentja Osmani përshëndeti fëmijët pjesëmarrës në një panel të improvizuar ku ata i bënë pyetje presidentes. Ajo tha se Kosova ka përjetuar tmerre të mëdha në luftë dhe ka humbur edhe fëmijë gjatë luftës.

Njëra nga pyetjet që ju drejtua presidentes Osmani nga fëmijët, ishte ajo e vajzës me emrin Eda nga Prishtina, e cila tha se përse të rriturit nuk mund t'i ndalin luftërat përderisa fëmijët dinë të lozin me njëri tjetrin edhe kur janë ndryshe.

Osmani tha se kjo pyetje e dëshmon pastërtinë e fëmijëve pavarësisht nga cila etni, racë dhe çfarë prapavije kanë dhe vijnë.

"Fëmijët kurrë nuk janë ata që e fillojnë luftën, por në të njëjtën kohë fëmijët janë ata që nuk mund ta përfundojnë luftën sepse gjithçka është në duart e të rriturve. Kështu që sa më shumë të dëgjohet zëri i fëmijëve aq më pak do të ketë luftëra nëpër botë", theksoi Osmani.

Presidentja Osmani në edicionin e tretë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka paraqitur gratë dhe vajzat shqiptare si ndërtuese të paqes në etapa të ndryshme kohore, teksa ka bërë thirrje për paqe të përgjithshme në gjithë botën si e vetmja rrugëdalje.

Në këtë forum dyditor, i cili u mbajt më 2 dhe 3 qershor, morën pjesë rreth 1 mijë pjesëmarrës, krerë të institucioneve të larta nga vende të ndryshme të botës, prej tyre rreth 150 folës nga më shumë se 45 vende të botës dhe u mbajtën më shumë se 30 panele diskutimi.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.