BALLKANI

Kosovë, Kurti pret në takim ambasadorin turk në Prishtinë, Çağri Sakar

Sa i përket çështjes rreth vendosjes së Ambasadës së Kosovës në Kuds, në njoftim thuhet se Kurti theksoi se "njohja dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit është shumë e rëndësishme për Kosovën dhe mundësi e mirë për zhvillim"

Ekip  | 01.03.2021 - Përdıtësım : 01.03.2021
Kosovë, Kurti pret në takim ambasadorin turk në Prishtinë, Çağri Sakar Foto: Lëvizja Vetëvendosje

Prishtinë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka pritur në një takim në zyrat e partisë ambasadorin turk në Kosovë, Çağri Sakar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në takimin e mbajtur në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë të pranishëm ishin edhe kandidatja për deputete, Fitore Pacolli, asistentja ekzekutive e partisë, Valë Gjonbalaj, si dhe sekretarja e dytë e ambasadës turke, Dilara Köseoğlu.

Siç njofton Lëvizja Vetëvendosje, ambasadori Sakar uroi Kurtin për rezultatin e zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë, duke theksuar se "ai dhe Turqia janë të interesuar të thellojnë bashkëpunimin me qeverinë në ardhje".

"Kurti e falënderoi ambasadorin për vizitën, si dhe për letrën e urimit nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan", thuhet në njoftimin e partisë.

Kurti e informoi ambasadorin për prioritetet e qeverisë së tij dhe potencoi se në raport me Turqinë do të fokusohen në shtimin e marrëdhënieve bilaterale midis dy vendeve, veçanërisht në fushën e zhvillimit ekonomik.

Sa i përket çështjes rreth vendosjes së Ambasadës së Kosovës në Kuds, në njoftim thuhet se Kurti theksoi se "njohja dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit është shumë e rëndësishme për Kosovën dhe mundësi e mirë për zhvillim". Rreth vendit se ku do të vendoset ambasada, sipas Kurtit, është një çështje që do të shqyrtohet duke parë edhe dokumentacionin e qeverisë në largim.

Në fund, të dy u dakorduan që porsa të formohen institucionet e reja të legjislaturës së tetë do të "vazhdohet bashkëpunimi në mes të dy vendeve mike".

Kosova më 14 shkurt mbajti zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku sipas të dhënave të fundit të publikuara në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje me kandidat për kryeministër Kurtin ka numrin më të madh të votave të grumbulluara apo 47,90 për qind.

Pas saj radhitet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 17,37 për qind të votave, ndërsa partia e cila deri më tash ka qenë në Qeverinë e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar 13,07 për qind të votave.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın