BALLKANI

Kosovë, Kurti fton liderët e partive politike për takim konsultativ

- "Aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese thekson qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë", theksoi ai

Agim Sulaj  | 27.06.2025 - Përdıtësım : 27.06.2025
Kosovë, Kurti fton liderët e partive politike për takim konsultativ

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka ftuar krerët e subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës për takim konsultativ me qëllim të konsensusit politik për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, transmeton Anadolu.

Kurti nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale, bëri të ditur se thirrjen drejtuar krerëve të subjekteve politike po e bën pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

"Aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese thekson qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë", theksoi ai.

Kurti theksoi se si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, i është drejtuar "të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit".

Sot do të provohet për të 38-tën herë me radhë që të konstituohet Kuvendi i Kosovës.

Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, publikoi vendimin ku konstatoi që seanca konstituive e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë, pra deri më 26 korrik më së largu.

Në aktgjykimin e publikuar si përgjigje dhënë partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për çështjen e kalimit të votimit për Kryetar të Kuvendit nga votimi i hapur në votim të mbyllur, gjykata po ashtu konstatoi që seanca e nisur më 15 prill dhe vazhdimi i saj çdo 48 orë, nuk është zhvilluar në pajtim me Kushtetutën.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.