BALLKANI

Kosovë, Kurti dhe Osmani takohen me ambasadoren e BE-së në Prishtinë

Kryeministri Kurti para gazetarëve ka theksuar se Kosova dhe ai si kryeministër i saj mbeten të përkushtuar në "rrugëtimin evropian, drejt familjes së madhe evropiane"

Agim Sulaj  | 05.02.2020 - Përdıtësım : 06.02.2020
Kosovë, Kurti dhe Osmani takohen me ambasadoren e BE-së në Prishtinë ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, kanë pritur në takime të ndara ambasadoren e Bashkimit Evropian (BE) në Prishtinë, Natalia Apostolova, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit të parë si kryeministër me ambasadoren Apostolova, kryeministri Kurti para gazetarëve ka theksuar se Kosova dhe ai si kryeministër i saj mbeten të përkushtuar në "rrugëtimin evropian, drejt familjes së madhe evropiane".

Duke folur rreth tarifës 100 për qind për mallrat serbe, të vendosur nga qeveria e kaluar, Kurti tha se me Serbinë do të ketë reciprocitet, gjë për të cilën vlerësoi se edhe për shkak të këtij zotimi ai tani është në pushtet.

“Ne konsiderojmë se jemi këtu ku jemi, ku si qeveri e re edhe për shkak të zotimit tonë se me Serbinë do të kemi reciprocitet politik, ekonomik dhe tregtar si zëvendësim për tarifën 100 për qind. Ne nuk themi që do të kthehemi në marrëdhënie asimetrike me Serbinë, përkundrazi do të avancojmë duke e shndërruar subjektivitetin tonë në çështje integriteti dhe dinjiteti në parimin i cili më së shumti njihet në vlerën e tij në raporte fqinjësore bilaterale, e ky është reciprociteti”, tha Kurti.

Ambasadorja Apostolova, nga ana e saj, tha se BE-ja do të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën, duke theksuar se Kosova është vendi i dytë më i madh për kokë banori ku kanë investuar më së shumti. Ajo tha se prioritet për BE-në në Kosovë mbetet sundimi i ligjit, arsimi e ndërtimi i shtetit në përgjithësi ,si dhe rruga drejt BE-së.

E pyetur rreth tarifës ndaj Serbisë, Apostolova tha se BE-ja e konsideron atë si shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Ne konsiderojmë se tarifa ka shkelur marrëveshjet ndërkombëtare dhe marrëveshjet si CEFTA, pjesë e së cilës është dhe Kosova. I kemi dërguar letra ish-presidentit Juncker dhe komisionerëve të tjerë në këtë drejtim dhe tani presim që qeveria e re të dalë me propozime dhe ide të reja se si do ta trajtojë këtë çështje. Nuk dëshirojmë të parashikojmë se cila do të jetë zgjidhja, ne vetëm dëshirojmë që bisedimet të vazhdojnë, në mënyrë që të rifillojë dialogu midis Kosovës dhe Serbisë”, theksoi Apostolova.

Pas këtij takimi Apostolova është pritur edhe në Kuvendin e Kosovës nga kryetarja e këtij institucioni, Vjosa Osmani.

Pas takimit me Osmanin, Apostolova tha se Kosova ka bërë përparime në legjislacion, por shtoi se si BE do të dëshironin punë edhe më të madhe të këtij institucioni dhe se janë të hapur të mbështesin projekte të ndryshme.

Ndërkaq Osmani, duke falënderuar ambasadoren Apostolova për mbështetjen, tha se pret që bashkëpunimi i institucionit të Kuvendit me BE-në të rritet në vazhdimësi, në mënyrë që “roli mbikëqyrës i Kuvendit të Kosovës mbi punët e qeverisë të jetë shumë më efektiv”.

E pyetur rreth tarifës 100 për qind Osmani tha se kjo çështje kërkon më shumë “gjithëpërfshirje, para se të merret një vendim”.

“Por, vendimin politik e kemi dhe ai është që tarifa largohet, reciprociteti si parim pozitiv i ndërtimit të relacioneve të mira duhet të hyjë në fuqi. Rreth kohës, besoj se do të merrni përgjigje në të ardhmen”, shtoi Osmani.

Ky është takimi i parë zyrtar i kreut të Qeverisë, Kurti dhe kryetares së Kuvendit, Osmani, me ambasadoren e BE-së në Kosovë.

Kurti e Osmani u zgjodhën në krye të dy institucioneve të larta të vendit të hënën në dy seanca të ndara ku u votuan nga shumica parlamentare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.