Kosovë, KQZ merr vendim për rinumërim të plotë të votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit
Radoniqi tha se nga rinumërimi i deritanishëm ndryshimi i votave në subjektet politike është minimal dhe pothuajse i papërfillshëm, por problemi qëndron tek votat e kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Kosovës
Prishtinë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për rinumërim të plotë të votave të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025 në Kosovë, raporton Anadolu.
Në mbledhjen e gjashtë të këtij viti, KQZ-ja e mori këtë vendim pas propozimit nga Këshilli për Operacione Zgjedhore, që është institucion në kuadër të KQZ-së.
KQZ-ja me vetiniciativë që nga 13 janari i këtij viti ka vendosur për rinumërim të fletvotimeve në 914 vendvotime.
Sipas vendimit të KQZ-së më 13 janar, në 10 komuna do të bëhet rinumërimi i të gjitha vendvotimeve, ndërkaq në 28 të tjera vetëm nga 10 për qind dhe ky proces është në zhvillim e sipër.
Por, me vendimin e sotëm të KQZ-së, edhe këto komuna ku parashihej të ndodhte vetëm 10 për qind e rinumërimit, do të rinumërohen 100 për qind të fletvotimeve.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se nga rinumërimi i deritanishëm ndryshimi i votave në subjektet politike është minimal dhe pothuajse i papërfillshëm, por problemi qëndron tek votat e kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Sipas një raporti të KQZ-së, nga vendvotimet e rinumëruara në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, rezulton se pas rinumërimit janë zbritur nga rezultati 36.007 vota për kandidatë të cilat u ishin regjistruar atyre më herët. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 20.078 vota kandidatëve të cilat nuk u ishin regjistruar saktë atyre.
Ai tha se këto ndryshime në numrin e votave të kandidatëve brenda subjekteve politike tregon se procesi i numërimit të votave ka pasur pasaktësi.
"Veprimi i KQZ-së, është ndërmarrë me qëllim të garantimit të saktësisë së rezultateve zgjedhore dhe për të siguruar që vullneti i qytetarëve, të Republikës së Kosovës, të regjistrohet dhe të reflektohet në mënyrë të saktë, ashtu siç është shprehur prej tyre në fletvotime", tha Radoniqi.
Sipas tij, Komuna e Prizrenit është komuna ku më së shumti ka pasaktësi ku pas rinumërimit janë zbritur mbi 20 mijë vota të cilat u ishin regjistruar kandidatëve për deputetë të Kuvendit nga kjo komunë.
Rrjedhimisht, KQZ-ja mori vendim edhe për për shkarkimin e përfaqësueseve të subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Komunën e Prizrenit.
