BALLKANI

Kosovë, institucionet e shëndetësisë dalin me masa mbrojtëse për temperaturat e larta

Ndër masat e listuara nga ministria është që të shmanget puna në ambiente të hapura nga ora 11:00 e drekës deri në orën 16:00 të pasdites

Agim Sulaj  | 22.07.2025 - Përdıtësım : 22.07.2025
Kosovë, institucionet e shëndetësisë dalin me masa mbrojtëse për temperaturat e larta Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë (MSH), në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP), ka dalë me rekomandime për institucionet publike dhe private që të zbatojnë masa mbrojtëse për mbrojtjen e punëtorëve nga temperaturat e larta, për periudhën 22-25 korrik 2025, transmeton Anadolu.

Nëpërmjet një komunikate për media, ministria u bëri thirrje institucioneve publike dhe private që t'i zbatojnë rekomandimet e dhëna.

Ndër masat e listuara nga ministria është që të shmanget puna në ambiente të hapura nga ora 11:00 e drekës deri në orën 16:00 të pasdites, gjithashtu gjatë kësaj kohe ministria rekomandon që edhe gratë shtatzëna të lirohen nga puna, nëse në vendin e punës nuk plotësohen kushtet e duhura.

Sipas ministrisë, personat me sëmundje kronike duhet që gjatë kësaj jave të punojnë me orar të shkurtuar, apo 4 orë në ditë; të përshtaten oraret e punës për të punësuarit, në mëngjes herët ose pasdite vonë, përfshirë edhe mundësinë e punës nga shtëpia; të sigurohet ajrosja e mjaftueshme në vendet e mbyllura të punës si dhe të vendosen pika freskimi në vendet e hapura të punës, për punëtorët.

"Temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht tek grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta", tha ministria.

Gjatë kësaj jave në Kosovë po mban mot shumë i nxehtë, me temperaturat të cilat dje arritën edhe deri në 41 gradë celsius në disa vende, ndërsa në pjesën më të madhe rreth 37 gradë celsius.

Temperaturat pritet të pësojnë ulje nga dita e diel e kësaj jave.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın