Kosovë, humb jetën nëna me fëmijën e saj nga vërshimet në qytetin e Pejës
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë njoftoi fillimisht se si pasojë e vërshimeve në Pejë, në lagjen “Asllan Çeshme”, një fëmijë pesëvjeçar humbi jetën, ndërsa nëna e tij u zhduk

Prishtinë
Një nënë bashkë me fëmijën e saj pesëvjeçar kanë humbur jetën si pasojë e vërshimeve në qytetin e Pejës, transmeton Anadolu.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë njoftoi fillimisht se si pasojë e vërshimeve në Pejë, në lagjen “Asllan Çeshme”, një fëmijë pesëvjeçar humbi jetën, ndërsa nëna e tij u zhduk.
“Pas kërkimeve nga njësitet policore, rreth orёs 01:20 tё datës 25 qershor 2023, ёshtё gjetur personi i zhdukur femër. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor”, njoftoi policia.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, shkroi pas mesnatës se njësitet e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) u nisën për në qytetin e Pejës dhe “do të jenë aty ku ka nevojë për t’u dalë në ndihmë në këtë gjendje të rëndë”.
Nga reshjet e shumta në këtë qytet, sipas qytetarëve të Pejës të cilët reaguan në rrjete sociale, u shkaktuan gjithashtu edhe shumë dëme materiale.