Kosovë, hapet procesi i votimit për zgjedhjet lokale të 12 tetorit
Qytetarët me të drejtë vote kanë nisur t’u drejtohen kutive për të zgjedhur kryetarët dhe asamblistët komunalë në 38 komunat e vendit

Prishtinë
Janë hapur qendrat e votimit në mbarë Kosovën për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, raporton Anadolu.
Qytetarët me të drejtë vote kanë nisur t’u drejtohen kutive për të zgjedhur kryetarët dhe asamblistët komunalë në 38 komunat e vendit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka kryer paraprakisht përgatitjet për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në gjithsej 2.625 vendvotime nga 948 qendra të votimit sa janë gjithsej.
Në bazë të listës votuese, në nivel vendi do të votojnë 2.025.105 qytetarë, ndërsa 43.993 votues jashtë Kosovës janë regjistruar për të shfrytëzuar të drejtën përmes postës.
Në zgjedhje do të garojnë gjithsej 5.626 kandidatë, përfshirë 206 për kryetarë komunash dhe të tjerët për asamblistë në kuvendet komunale.
Në këto zgjedhje janë certifikuar 93 subjekte politike, përfshirë 32 parti, 32 iniciativa, dy koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.
Votimi do të vazhdojë deri në orën 19:00, pas së cilës do të nisë numërimi i votave në qendrat e caktuara nga KQZ.
Rezultatet e para preliminare pritet të publikohen gjatë mbrëmjes.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.