Kosovë, hapet mundësia për transport publik që lidh Mitrovicën e Jugut me komunat me shumicë serbe
Ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar për shpalljen e thirrjes për aplikim për transport publik, për lidhje më të madhe të katër komunave veriore me Mitrovicën e Jugut
Prishtinë
Për herë të parë që nga paslufta në Kosovë është hapur mundësia që nëpërmjet transportit publik rrugor të lidhet qyteti i Mitrovicës së Jugut me komunat tjera me shumicë serbe në veri të vendit, transmeton Anadolu.
Ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar të mërkurën për shpalljen e thirrjes për aplikim për transport publik, për lidhje më të madhe të katër komunave veriore me Mitrovicën e Jugut.
Siç ka njoftuar ai, transporti publik do të subvencionohet “me qëllim që të lidhim edhe më shumë njerëzit dhe ta bashkojmë edhe më fort Jugun me Veriun”.
Sipas Durmishit, do të ketë linja autobusi nga Mitrovica e Jugut për në Leposaviq e deri në Jarinjë, për në Zubin Potok e deri në Bërnjak, nga Jugu i Mitrovicës për te Kroi i Vitakut dhe në Zhazhë, Bistricë e Cerajë, si dhe nga Mitrovica e Jugut për në Banjskë dhe fshatrat e tjera të Zveçanit, dhe anasjelltas.
Sipas thirrjes, synohet që të jenë 6 linja të ndryshme me nga tri nisje e tri kthime brenda ditës.
Sipas shpalljes publike, kompanitë që synojnë të aplikojnë për këto linja, kanë kohë për aplikim në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrkturës deri më 16 janar 2026.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
